
Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka treguar arsyen se pse u thirr ditën e sotme në SPAK. Bushi u shpreh se u sqarua 90 minuta në lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoqja. Sipas tij Hoqja ka pretenduar se i është kryer sulm personal. Por Bushi thotë se kanë zbatuar ligjin ndaj tij për 3 ndërtime pa leje. Kryebashkiaku sulmoi mediat ku u shpreh se po hedhin baltë ndaj tij. Po ashtu ai mohon të jetë thirrur në SPAK lidhur me procedurat e prokurimeve dhe tenderëve publike.
“Duke respektuar strikt procedurën hetimore dhe në respekt të informimit të publikut për aq sa më lejon ligji, dua të bëj me dije se sot kam qenë në zyrat e SPAK për të dhënë dëshminë time ne lidhje me kallëzimin e një qytetari nga Kruja, Muharrem Hoqja, i cili ka pretendimet për sulme personale nga ana Kryetarit të Bashkisë Krujë, në lidhje me zbatimin e ligjit ndaj tij, për tre ndërtime pa leje të bëra nga ky shtetas, ndaj të cilave janë marrë të gjitha masat ligjore! Thirrja në SPAK ishte vetëm për këtë pjesë dhe nuk ka asnjë lidhje me procedurat e prokurimeve dhe tenderëve publike.
Dhashë shpjegimet e mia në përgjigje të ftesës së Prokurorisë, mbi çështjen në fjalë dhe do të vij sa herë që do të jetë e nevojshme prania ime, sepse unë nuk i shmangem të vërtetës dhe ligjit. Çdo aludim tjetër dashakeq në media apo portale e quaj pjesë të fushatës politike të 14 Majit, e cila tashmë ka filluar dhe për fat të keq, opozita ka zgjedhur baltën dhe dezinformimin e publikut”, ka deklaruar Bushi.