Politike17 Mars 2023, 13:11

Me kë do të drejtojë Edi Rama? Më shumë zyrtarë ka në burg se në Kabinet

Shkruar nga Pamfleti

 

Me kë do të drejtojë Edi Rama? Më shumë zyrtarë ka
Edi Rama

Me gjithë propagandën dhe lojën e fjalëve që e preferon aq shumë, Edi Rama nuk mundet ta ndryshojë këtë të vërtetë të qeverisjes së tij: pas 10 vjetësh në pushtet ai ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa përkrah në qeverisje.

‘Tigri’ i famshëm i qeverisë nuk është aspak në ditë të mira. I shkarkuar nga postet, nga pushteti politik dhe qeveritar, Arben Ahmetaj në çdo shfaqje publike merr gjithnjë e më shumë pamjen e njeriut të prerë në besë nga njerëzit e afërt. Pasi e përdori për të kryer punët e veta, Edi Rama, me formulën "ku di unë ça bëj unë dhe ku di unë ça bëjnë ata", Arben Ahmetajn e ka hedhur në fushën e lojës, duke i dhënë dorë të lirë hijenave ta shqyejnë. E ashtëquajtura Drejtësi e Re po bën sikur heton, dhe sido që të jetë fundi, është e qartë si drita e diellit që, për skandalin e inceneratorëve dhe jo vetëm, Arben Ahmetaj do ta ketë keq punën.

Tigri nuk është as i pari dhe duket se nuk do të jetë as i fundit. Në radhë të afërt me të është edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka që, me gjithë cirqet që bëri me avokat dhe pa avokat për t'i shpëtuar përgjegjësisë si "gruaja e burrit investitor strategjik", aktualisht është vënë me ‘shpatulla pas murit’ për tjetërsim dhe privatizim, si në trojet e babait, të pronave të ushtrisë. Ndoshta deri tani Xhaçkën e ka shpëtuar "investitori strategjik" dhe milionat e kufomave të fëmijëve të varrosur nga e ëma që në fillim të viteve 90-të, por kjo çështja e pronave mban kaq shumë erë të qelbur, sa forca e kartonëve të opozitës dhe imuniteti i deputetit zor se mund ta shpëtojnë.

Me gjithë propagandën dhe lojën e fjalëve që e preferon aq shumë, Edi Rama nuk mundet ta ndryshojë këtë të vërtetë të qeverisjes së tij: pas 10 vjetësh në pushtet ai ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa përkrah në qeverisje. Dhe kjo, ndryshe nga sa pretendon Kryeministri, nuk ka lidhje fare me funksionimin e pushtetit ligjor dhe as me drejtësinë, qoftë kjo e reja apo e vjetra. Këto të fundit, i ka marrë lumi me kohë dhe pushteti i Edi Ramës vetëm sa i varrosi edhe më thellë nga sa ishin.

Të gjitha skandalet e viteve të fundit, janë dëshmitaret më kokëforta dhe të pakundërshtueshme të një qeverie të korruptuar deri në fyt, që ka mbledhur e shpërndarë kaq shumë llum, sa tani po i del nga hundët.

Edi Rama është rrethuar nga kriminelë, nga njerëz të korruptuar, nga hajdutë që pasi i përdor si do, i çon në burg.

Për t'ua vërtetuar, do t'ju kujtojmë një listë, thellësisht të ngushtë të ish bashkëpunëtorëve të Kryeministrit tonë të lavdishëm që sot janë në burg.

Po e nisim nga fundi:

Lefter Alla, kryetari i bashkisë se Bulqizës, e firmosi edhe tenderin e fundit prej 860 mijë dollarësh përpara se të nisej për SPAK. Fondi i siguruar nga Islamic Relief Albania, teorikisht do të shkojë për ujësjellës- kanalizime të disa fshatrave të Bulqizës, por duke ditur namin e Kryetarit që "thith miell" ditën për diell e bën cubin në krahinën e vet si i forti i Ramës, mund të merret me mend fati i tufës së fundit të dollarëve. Lefter Alla është kryetari i fundit që u këput nga pema e pushtetit (nëse Rama për ca arsye kërcënimesh nuk do të detyrohet ta mbajë ende në tavë).

Në vazhdën e kryetarëve të bashkive, kontigjent kriminalë të përzgjedhur personalisht nga Rama në kohë fushatash, kur Kryeministri tmerrohej nga ideja e humbjes së pushtetit, mund të përmenden disa "fiq të këputur nga pema".

Fatos Tushe i Lushnjes është rikthyer në burg, Shkuri Xhelili, kryetari i famshëm i brekëve të grisura të Dibrës nuk arriti ta gëzonte pushtetin prej veseve dhe imoralitetit, Elvis Roshi i famshëm i Kavajës që bënte si cub edhe këtu në Tiranë, doli se ishte një kriminel ordiner dhe u zhduk nga faqja e pushtetit. Ndërsa Artur Bushi i Krujës është afër litarit, prej trafiqeve dhe drogës që pret e përcjell nga Shqipëria.

Pak kohë pas skandalit të bashkive, Lefter Koka, hyri në burg, si ish ministri që kishte firmosur për inceneratorin e Elbasanit dhe çdo deklaratë e tij vërtetonte marrëveshjen mes tij dhe Ramës për ta pranuar këtë si fat mes ish bashkëpunëtorësh të ngushtë. Bashkë me të shkoi edhe Alqi Ballko, por ish sekretari i Përgjithshëm i Mjedisit u tregua më i mençur: çoi sinjale që nëse nuk e trajtonin mirë dhe e nxirrnin nga qelia do të bilbiloste ato që dinte dhe informacioni që posedon një person në atë pozicion është i rrezikshëm për çdo anëtar qeverie. Për të qëndruar në të njëjtat niveli nuk ka shumë kohë që një tjetër Sekretar i Përgjithshëm, kësaj here i Financave, Arlind Gjokutaj shkoi para drejtësisë bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë që kishin zhvatur para publike. Ndërs Saimir Tahiri, ish ministri i lavdishëm i Edi Ramës në sektorin e vështirë të Rendit Publik, vuan ende dënimin për fatin e tij të keq.

E kotë t'ju kujtojmë se çfarë lavdesh u thur Edi Rama njerëzve të tij - përfshirë edhe këta që përmendëm - kur i ka në krah dhe ndan paratë më ta. Kthehuni pas në kohë dhe shikoni si i ka trajtuar ata, kur i ka ndarë nga tufa për ti akuzuar si të korruptuar, por pa lidhje me vetë Ramën.

Në strukturën shtetërore janë më mijëra rastet e ngjashme dhe jo vetëm të nivelit të Alda Klosit që ju gjendën qindra mijë euro në shtëpi, pa burim të deklaruar. Boll të përmendim valën e skandaleve në Kadastrën e Shtetit të drejtuar nga mafiozi Artan Lame që, sot dy vjet të shkuara u shndërrua në një bandë ashiqare kriminale me njerëz që emëroheshin sot e burgoseshin nesër, me drejtorë që emëroheshin sot dhe jepnin dorëheqjen nesër sepse kërcënoheshin me jetën e tyre dhe të familjarëve, me vjedhje tokash e atentate mafioze që s'ka drejtësi që t'ua nxjerrë fundit.

Me këtë bilanc po i afrohet zgjedhjeve të 14 Majit Edi Rama. Fati i tij i madh është që ka një opozitë të shkatërruar që premton ta mbajë në pushtet edhe një dekadë tjetër. Këtë Rama e di dhe të gjithë mund të vënë bast për sigurinë e kësaj teorie. Por pyetja është, me kë do të drejtojë ky Kryeministër kur të gjithë njerëzit që ka afër po i përfundojnë në burg? Me patronazhistët?!/Pamfleti

edi rama zyrtarë në burg kabineti