
Atmosfera para Kryeministrisë është ndezur edhe më tej nga fjalimet e mbajtura nga protestuesit, të cilët kanë vijuar me akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe modelit të qeverisjes së tij.
Një prej protestuesve mori fjalën para turmës së mbledhur dhe ironizoi një nga shprehjet e përdorura shpesh nga kryeministri, duke pyetur publikisht se ku ndodhet “Roma” e premtuar pas më shumë se një dekade në pushtet.
“Roma nuk bëhet për një ditë. Kanë kaluar 13 vite. Cila është Roma jote? Është Roma e kullave të shokëve të tu. Ti do të na përzësh neve dhe të ndërtosh Romën tënde. Mos e falni, motra dhe vëllezër shqiptarë”, deklaroi ai, ndërsa turma iu përgjigj me brohoritje dhe duartrokitje.
Fjalimi u përqendrua te largimi i shqiptarëve nga vendi, rritja e kostos së jetesës dhe akuzat se zhvillimi i promovuar nga qeveria nuk po përkthehet në përmirësim të kushteve për qytetarët e zakonshëm. Sipas protestuesit, përfituesit e vetëm të politikave të qeverisë janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me pushtetin.
Mes thirrjeve “Dorëheqje”, “Rama ik” dhe “Edi Rama ka mbaruar”, ai u bëri apel qytetarëve të vazhdojnë rezistencën dhe të mos tërhiqen nga protesta.
Në fund të fjalës së tij, protestuesi dha një mesazh që u prit me entuziazëm nga të pranishmit, duke e lidhur qëndresën në shesh me emigrimin masiv të shqiptarëve gjatë viteve të fundit.
“Për çdo shqiptar që u detyrua të ikë, ne nuk ikim nga ky shesh”, deklaroi ai, ndërsa mijëra protestues shpërthyen në duartrokitje.
Tubimi para Kryeministrisë po vijon me pjesëmarrje të lartë, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të paraqitura, ku kryesorja mbetet largimi i qeverisë.
Lini një Përgjigje