Në Shqipërinë e Ramës, drejtësia ka standarde estetike: druri ndalohet me hetim penal, ndërsa betoni mbi tokë publike dekorohet si vizion qeveritar. Kur ligji bëhet dekor, shteti kthehet në farsë...

Në republikën e Bablokut, drejtësia nuk është më një pushtet më vete. Është një vegël me dy kriklla: një për të zier armiqtë dhe një për të shërbyer çajin e pasdites për shokët dhe dashnorët e partisë.
Kur prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli, guxon të pushojë një çështje absurde për një kioskë prej druri në Theth, ku toka është private dhe ndërtimi s’ka asnjë tullë betony, për Ramën ky është skandal kombëtar. Urdhri shkon direkt: Hetim! Ndëshkim! Diskreditim!
Por, kur Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi ndërtojnë një resort luksoz me status “strategjik” mbi 10 mijë metra katrorë tokë, pjesërisht shtetërore, për Ramën ky është... turizëm patriotik! Gjyqtarja që i kthen dosjen në hetim, Flora Hajredinaj, bëhet objekt i sulmeve nga zombi-mediet që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse lëpijnë këpucët e pushtetit. E ndërkohë që SPAK sillet si noter i interesave qeveritare, Rama hesht. Hesht me elegancën e një artisti që ka dhënë urdhrin e montazhit: këtu presim, atje godasim.
Nëse në Theth kioska prej druri u quajt “çështje penale”, ndërsa resorti prej betoni në Himarë u quajt “mungesë provash”, atëherë drejtësia në këtë vend duhet të pajiset me katalog ngjyrash. Lëndët penale do të klasifikohen sipas tonalitetit politik: nëse je me partinë, betoni është pemë dekorative; nëse je jashtë klanit, edhe një derë druri bëhet armë masive.
Po si funksionon kjo drejtësi me standarde të reja?
Thjesht: Prokurorët që heshtin për çështjet e qeverisë ngjiten, ata që guxojnë të zbatojnë ligjin, si Elsa Gjeli, shpallen armiq të shtetit dhe linçohen në publik. Gjyqtarët që zbulojnë korrupsionin përballen me "vendime të apelit", të mbështetura nga "rastësia" e një drejtësie që e ka humbur busullën dhe e gjen vetëm me urdhrin e shefit.
Kjo është drejtësia e Edi Ramës: një institucion që përkulet me hijeshi kur kalojnë Oltat dhe Gaçët, dhe ngre gjyle kur del ndonjë zë që nuk lexon nga fletorja zyrtare e propagandës.
Një sistem ku SPAK shpall të pafajshëm ata që kanë firmosur mbi toka publike, por shpik krime për një strukturë druri në një fshat të thellë.
Në këtë vend, drejtësia nuk është më e verbër. Ajo sheh shumë mire, por vetëm atë që i tregojnë. Dhe nuk dëgjon zërin e ligjit, dëgjon vetëm zërin e kryeministrit.
Kjo nuk është më demokraci. Është një performancë tragjikomike, ku Rama është regjisor, aktor, skenarist dhe kritik i vetëvetes. Të tjerët? Vegla në skenën e një shteti që ka vendosur të përqeshë çdo parim që dikur e mbante gjallë republikën. Dhe drejtësia? Ajo është kthyer në një shfaqje me bileta falas për miqtë dhe torturë publike për armiqtë./Pamfleti
Lini një Përgjigje