
Kushtetuesja kundër shtimit të numrit të komisioneve nga 8 në 11...
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar skemën e Edi Ramës për shtimin e numrit të komisioneve parlamentare.
Në shtator, PS vendosi të shtojë numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 11, teksa dhe disa prej komisioneve të vjetra u ridimensionuan.
Por PD e ankimoi ndryshimin e Rregullores në Kushtetuese. Sipas saj, Rregullorja e Kuvendit u ndryshua në dy mbledhje të Parlamentit, të cilat u zhvilluan brenda të njëjtës ditë, ndërkohë që Kushtetuta parashikon se një ligj, edhe kur futet me procedurë të përshpejtuar, nuk mund të miratohet pa kaluar 7 ditë.
Sipas PD-së, miratimi brenda një kohe kaq të shkurtër i ndryshimeve në Rregullore cenon të drejtën e deputetëve të opozitës për t’u njohur me ndryshimet, si dhe për të propozuar amendamente.
Kushtetuesja duket se i ka dhënë të drejtë PD-së në këtë aspekt. Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura ka qenë antikushtetuese dhe nevojitet të rregullohet. Ajo i ka dhënë 30 ditë kohë Kuvendit të rikthejë komisionet siç ishin.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”.
Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizimit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.
Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:
• Pranimin e kërkesës
• Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
• Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare.
Lini një Përgjigje