Shkrimi i gjatë për 21 janarin nuk flet për vrasjet, por ndërton një kleçkë procedurale që synon zvarritjen e hetimit ndaj Sali Berisha në SPAK...
Teksti i Ilir Metës nga paraburgimi i 313-s nuk përbën as rrëfim të vonuar ndërgjegjeje dhe as zbardhje faktesh për 21 janarin 2011. Ai shmang thelbin e ngjarjes, vrasjen e katër qytetarëve, dhe fokusohet te një narrativë konspirative që synon të ndërtojë pengesa procedurale për hetimin penal ndaj Sali Berishës. Rrëfimi funksionon si instrument juridik i parapërgatitur nga mbrojtja e ish-kryeministrit, me qëllim zvarritjen e një dosjeje të re në GJKKO, një taktikë e provuar më herët në çështje të tjera.
Çarçafi i gjatë i shkruar nga Ilir Meta në qelinë e tij në paraburgimin e 313-s nuk e ka çuditur shumë opinionin. U komentua pak ose aspak në media. Kur, në fakt, vetë dëshira për të shkruar, nga dikush që prej kohësh e urrente penën dhe bojën, është lajm në vetvete.
Ndërkaq, lajmi tjetër ishte materiali i gjatë i Ilir Metës, ku rrëfen “të vërtetën e tij për 21 janarin”.
Ish-presidenti nuk flet fare për atë çfarë ndodhi më 21 janar 2011, por vetëm për ngjarjet që paraprinë atë ditë, kur protesta shpërtheu si reagim ndaj çështjes së videos Meta–Prifti.
Në shkrimin e tij të gjatë dhe të kujdesur nga ana gjuhësore, Ilir Meta përpiqet jo vetëm të rrëzojë faktet që shqiptarët i kanë parë në videon e famshme, ku imazhi i tij ra përfundimisht përtokë, por edhe t’i paraqesë vrasjet si pjesë të një “plani” të përgatitur më herët.
Një konspiracion tipik alla “toka e sheshtë”, sepse duhet një mendje vërtet “gjeniale” për t’i besuar versionit se vrasjet ishin përgatitur nga persona të lidhur me Edi Ramën, ndërkohë që u kryen nga gardistët dhe truprojat e Sali Berishës, i cili më pas i mbylli në Kryeministri, ndaloi prokurorinë, fshiu serverët, pengoi drejtësinë dhe kërcënoi Kryeprokurorin dhe Presidentin.
Pra, “e vërteta e Ilir Metës” nuk është as ndonjë pasion i rishfaqur për ta thënë më në fund pas një jete të kaluar në gënjeshtër; as një lajthitje e radhës me të cilat ka argëtuar opinionin për vite me radhë, kur hipte mbi skela, maja dhe hekura.
Lepuri që fshihet në shkurret e rrëfimit të ish-presidentit për 21 janarin nuk është gjë tjetër veçse një kleçkë procedurale, për të shtyrë sa më shumë inkriminimin e pritshëm të Sali Berishës nga SPAK për këtë ngjarje.
I gjithë ky rrëfim është shembulli klasik i “djallit të fshehur në detaje”, i përgatitur me kujdes nga avokatët e zgjuar dhe dinakë të doktor Berishës.
Nëse ndodh inkriminimi i Sali Berishës, përkatësisht shpallja e tij i pandehur dhe hapja e një dosjeje të re hetimore, avokatët do ta përdorin historinë e Ilir Metës në GJKKO, të paktën për ta shtyrë në kalendat greke nisjen e hetimeve. Një taktikë e përdorur me sukses edhe në rastin e dosjes “Partizani”, e cila, megjithëse është hapur prej tre vitesh, ende nuk ka nisur të gjykohet.
Ndërkohë, e gjithë pjesa tjetër e “tregimtarit të rigjetur”, përfshirë 14 shtatorin 1998 apo pasvrasjen e Azem Hajdarit, nuk është gjë tjetër veçse një garniturë e pjatës së madhe, ku asnjë pjesë nuk “hahet” me tjetrën, sepse janë menu të ndryshme.
Problemi thelbësor është se Ilir Meta, si në rastin e 14 shtatorit ashtu edhe në atë të 21 janarit, flet për situata që kanë ndodhur përpara një akti apo krimi shumë të rëndë, qoftë sulmi ndaj institucioneve, qoftë vrasja e katër qytetarëve në bulevard.
Nëse Ilir Meta i paska ditur këto ngjarje përpara, përse atëherë nuk i ndaloi ose së paku nuk u përpoq t’i ndalonte? Sepse fjala nxjerr fjalën dhe faktet njihen.
Kur ndodhi 14 shtatori, Ilir Meta, i hipur në mjetet e policisë bashkë me Anastas Angjelin, shkoi në Ministrinë e Brendshme duke deklaruar se shumë shpejt kryeministër do të ishte ai vetë dhe se Fatos Nano kishte ikur.
Këto episode Meta nuk i përmend, ose ndoshta “i ka harruar”. Megjithatë, askush nuk i komentoi, pasi, si me komandë, debati u orientua ndryshe, në mënyrë që të mos trembej lepuri i Ilir Metës në shkurret e “të vërtetës”./Pamfleti
Po të isha Avokat dmth. mik i Ilir Metës do ti sygjeroja: partia jote po të dënon, lakmia jote dhe e shokëve të tu të partisë të ka mbyllur aty . Trashëgimia jote politike të ka lënë vetëm një mundësi dalje: demaskoje regjimin 35 vjeçar dhe bëj një shërbim Shqipërisë. Shokët nuk do të mbajnë mëri. Edhe ata po jetojnë në ankth.E ka marrë ferra uratën z.Ilir. Dëgjo këtë 'avokat'.