Politike25 Qershor 2024, 21:35

"Lëvizjet e Berishës i kushtuan shumë politikës"/ Dyrnjaja debat me Boçin: Na përçau Basha, tentoi bashkim me Ramën

Shkruar nga Pamfleti

"Lëvizjet e Berishës i kushtuan shumë politikës"/

Deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi dhe gazetari Denis Dyrnjaja kanë debatuar lidhur me protestën e 11 korrikut të thirrur nga Berisha.

Gazetari Dyrnjaja tha se opozita ka organizuar protesta, madje edhe të mëdha, por nuk mund të vendosë nën presion apo të detyrojë Ramës qoftë edhe për atë që kërkon “qeverinë teknike”. Ai shtoi se strategjia e zgjedhur nga opozita nuk bind për një kohë afatgjatë.

“Sali Berisha ka krijuar kosto të larta politike me lëvizjet e tij, qoftë në rastin kur mori në mbrojtje dhe mbështeste Lulzim Bashën, qoftë edhe përsa i takon përçarjes së opozitës. Opozita në 2021 ishte bashkë, u përça për një agjendë personale, pra Berisha shkaktoi një kosto duke përçarë demokratët. Nëse do të ishin të bashkuar nuk do të harxhoheshin kaq shumë kohë dhe energji për tu përplasur e më pas për tu bashkuar”, tha gazetari.

Ndërkohë Luçiano Boçi iu përgjigj duke i thënë se opozita nuk u përça për shkak të Sali Berishës, por për shkak të Lulzim Bashës, që tentoi një bashkëqeverisje me Edi Ramën.

“Nuk do të ishim të përçarë nëse kjo mazhorancë nuk do të fuste duart në situatat që u krijuan”, tha Boçi.

Në replikë me Boçin, gazetari Dyrnjaja tha se “Gazment Bardhi nuk ka lënë akuzë pa bërë ndaj Sali Berishës dhe sot ku janë”.

Ndërsa nënkryetari i PD-së tha se askush nuk duhet të kapet në detaje të tilla.

“Ne kemi një rezolutë, kemi bërë thirrje për bashkimin jo vetëm të demokratëve, por të gjithë faktorit opozitar”, u shpreh Boçi për “Report Tv”.

Në vijim të debatit, Dyrnjaja tha “ju besoni se me Sali Berishën vini në pushtet?”, ndërsa në kundërpërgjigje Enno Bozdo i tha “ju si e shikoni Berishën, të burgosur politik apo jo?”.