Kreu i PD, Sali Berisha ka pranuar sot se Partia Demokratike ka firmosur për kandidaturën e Endri Shabanit në garën për Avokatin e Popullit, duke rrëzuar kështu qëndrimin e një dite më parë, kur PD deklaroi se firmat ishin vendosur gabimisht.
Në një deklaratë për mediat pasi doli nga Kuvendi, Berisha sqaroi se nënshkrimet janë dhënë në një periudhë kur Shabani mbështeste kandidaturën e Florjan Binajt dhe kur, sipas tij, ekzistonte “një koalicion moral i plotë” mes forcave politike.
“Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë Endri Shabani kur ai mbështeti Florian Binën, se nuk mund të them që nuk ishte një koalicion moral i plotë i të gjitha forcave politike. Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai që kishte atë fjalor si opozitar i opozitës, nuk ishte vetëm kaq, por ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën.”, tha ai.
Berisha nënvizoi se pavarësisht pozicionit të tij, Shabani mban postin e kryetarit të një partie, çka sipas tij bie ndesh me standardet që duhet të plotësojë kandidati për Avokat të Popullit. Ai shtoi se Komisioni i Ligjeve kishte vendosur që deputetët të mos firmosnin më shumë se një kandidat, vendim të cilin PD e ka zbatuar duke tërhequr zyrtarisht të gjitha firmat.
“Më së paku, Endri Shabani është kryetar i një partie, nuk po marr anën tjetër. Por Komisioni i Ligjeve vendosi që deputetët nuk do kenë të drejtë të firmosin për më shumë se një kandidat. Në përputhje me këtë vendim, grupi parlamentar i PD dërgoi një shkresë në Kuvend ku e informon se tërheq çdo firmë për çdo kandidat. Dhe, këtë vendim të Komisionit të Ligjeve, në mënyrë të habitshme, e hodhi poshtë mazhoranca pa asnjë vendim. E bëri të paqenë pa marrë asnjë vendim në asnjë institucion. Pse e bëri këtë? Se humbisnin firmat për Endrin Shabanin,” deklaroi ai.
Lini një Përgjigje