Kryetari i Partisë Demokratike thotë se është i pashqetësuar nga takimet që kanë realizuar disa nga figurat e PD.
Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar pas takimin e zhvilluar dje nga një sërë eksponentësh të Partisë Demokratike që dolën si më të votuarit e zgjedhjeve të Majit.
Berisha u shpreh se normalisht takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen, por theksoi se PD mbetet partia më e hapur dhe demokratike e vendit.
"Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them.
Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka patur dhe do ketë.
Unë i shqetësuar? Jo njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres cdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë.", u shpreh Berisha për mediat.
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi ka komentuar takimin e Ervin Salianjit me disa prej figurave të selisë blu, përfshirë dhe Ilir Alimemeti.
Në emisionin “Opinion” Bardhi tha se nuk do që të komentojë “gjëra” që nuk janë seriozë. Sipas tij, një takim për kafe mes demokratësh nuk ka asgjë shqetësuese për PD.
“Unë besoj se kemi ardhur për bisedë serioz jo për të komentuar kafet që pinë kolegët çdo ditë. Secili prej nesh kur takohet me koleg, ka dhe biseda të caktuara. Salianji është anëtar i kryesisë ka të gjithë shansin për të diskutuar në kryesi. Alimemeti është drejtues i departamentit të shëndetësisë në PD… Fokusi duhet të jetë te skandalet e qeverisë. Të bësh një lajm se kolegët pinë kafe nuk e di, ne te kafja e PD jemi çdo ditë.”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje