Planet Rama-Berisha për të sabotuar SPAK, si po vihen në lëvizje partnerët...
Politika është mbërthyer nga paniku i prangave. Në vitin 2016 të gjithë e morën me sportivitet Reformën në Drejtësi, duke qenë të bindur se ajo kurrë nuk do të kishte sukses. Berisha me Metën mendonin se do vijonin të kishin ende ndikim në drejtësi, ndërsa Rama mendonte se duke qenë se po e udhëhiqte PS reformën, ata do të ishin imunë.
Por ata harruan një element kyç, faktorin ndërkombëtar. Historia ka treguar se SHBA dhe BE bashkëpunojnë me të gjithë për një projekt të caktuar, por në fund nuk tolerojnë asnjë. Kështu ndodhi. Sapo reforma u mbyll, Sali Berisha u shpall i padëshiruar nga SHBA dhe sot dergjet dyerve të gjykatave e prokurorive. Ilir Meta është nën hetim për disa dosje, ndërsa Ramës po i futen në burg të gjithë, teksa edhe vetë është i rrezikuar.
Me pak fjalë të gjithëve u ka zënë rrota bishtin dhe kanë filluar ta sabotojnë reformën. Sali Berisha del përditë dhe sulmon kë të mundet, nga Altin Dumani te gjyqtarët dhe prokurorët. Ilir Meta është më i rezervuar, por dhe ai është i pakënaqur me SPAK, ku nuk kanë munguar sulmet dhe akuzat.
Teksa këta të dy e kanë treguar hapur pakënaqësinë, Edi Rama ka filluar të veprojë nën rrogoz. Dje doli në pah se PS po mendon të ngrejë një komision në Kuvend për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura, përfshirë SPAK. Pra duket sikur ka një koordinim mazhorancë-opozitë që SPAK të sabotohet.
Por teksa politika po mendon ta arrijë një gjë të tillë, ndërkombëtarët kanë dhënë mesazhe të qarta sot dhe në ditët e mëparshme se ata nuk negociojnë drejtësinë, sidomos SPAK. Mesazhi më i fortë erdhi nga ambasada amerikane.
Sot kreu i SPAK, Altin Dumani ishte në universitetin e Shkodrës dhe krah tij ishte David Backman, këshilltar ligjor në ambasadën e SHBA. Ky i fundit dha një mesazh shumë të fortë, i cili kaloi pa shumë vëmendje. Ai e cilësoi SPAK si një xhevahir dhe duhet të ruhet.
“SPAK është i mrekullueshëm dhe i duhet shumë një vendi me korrupsion si Shqipëria. SPAK është i rëndësishëm ndaj edhe e shihni çdo ditë në TV, teksa i referohen mediat dhe politikanët. SPAK mund të bëjë akoma diçka më shumë dhe jam i sigurt dhe ne e presim këtë. Ju të rinjtë mund të ndryshoni kulturën bazike të integritetit sepse SPAK nuk mund ta bëjë i vetëm. Ua them me siguri se SPAK e kanë zili shumë shtete të tjera që nuk e kanë si strukturë. SPAK duhet ruajtur si xhevahir në Shqipëri”, tha ai.
Pra duket se mesazhi i tij është i qartë: SHBA nuk do të lejojë asnjë plan qoftë majtas apo djathtas që synon asgjësimin e SPAK. Me pak fjalë, është një paralajmërim për Ramën, Berishën dhe ata që u shkojnë pas.
Në një linjë me SHBA është dhe Londra. Edhe ambasadori britanik në vendin tonë deklaroi se ata mbështesin SPAK dhe kërkojnë të vijojnë goditjet pa ndalim.
“Ne e mbështesim plotësisht SPAK-un dhe punën e tij të rëndësishme. SPAK-u duhet të lejohet të vazhdojë punën pa frikë apo favore. Ata janë një institucion i pavarur dhe kjo duhet respektuar. Dhe sigurisht që krimi i organizuar dhe korrupsioni janë vërtetë shkatërrues për shoqërinë. Ata ndikojnë në mënyrën se si mund të funksionojë demokracia, se si mund të funksionojnë institucionet, ata janë në shkelje të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, dhe gjithashtu lënë gjurmë në ekonomi dhe u mohojnë qytetarëve mundësitë që i meritojnë dhe u nevojiten njëkohësisht. Pra, është shumë e rëndësishme që puna të ecë vërtetë përpara në të ardhmen”, tha King-Smith.
Pak ditë më parë, Dumani u thirr në raportim dhe nga ambasadat e vendeve të BE, ku mori mbështetjen e tyre. Pra ndërkombëtarët janë vënë në lëvizje për të shmangur çdo lloj skenari ogurzi që po gatuhet nga politika shqiptare. /Pamfleti
Lini një Përgjigje