
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka akuzuar Edi Ramën dhe qeverinë e tij se ka lënë pas dore veriun.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka ndarë një mesazh politik, duke rikujtuar kontributin e tij në ndërtimin e superstradës Lezhë–Shkodër gjatë kohës që ishte Kryeministër.
Meta e cilëson këtë vepër si një nga arritjet më të rëndësishme infrastrukturore, të realizuar tërësisht me fondet e buxhetit të shtetit dhe si simbol të shpresës për Veriun e vendit.
“Sa herë që udhëtoj drejt Shkodrës, ndihem vërtet krenar, që megjithëse në kohë të vështira si Kryeministër, realizova superstradën Lezhë-Shkodër.
Vepra më e madhe e infrastrukturës rrugore e realizuar tërësisht me buxhetin e shtetit.
Për Veriun e vendit, jo vetëm po ndërtohej një rrugë e re, por gjithashtu po lindte një shpresë e re. Shqipëria do të lidhej shumë më mirë me Europën dhe turizmi do të merrte një dimension të ri. Dukeshin sfida të pamundura, por ato u bënë realitet dhe provuan se me vizion, përgjegjshmëri të lartë dhe me atdhetarizëm, çdo gjë mund të realizohet.
Mjerisht, këto 12 vjet janë një kohë e humbur dhe shumë shanse të humbura për shkak të një qeverisje që e urren Veriun e vendit.
Pas fitores së 11 Majit, Veriu do të bëhet Madhështor dhe eksperienca, vendosmëria e patriotizmi yne tashmë i provuar, do ta bëjë realitet këtë”, shkruan ai.
Lini një Përgjigje