TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Qershor 2026, 12:48

"Mitingu i djeshëm i PS, elegjia e Ramës", Berisha: Protestat e të rinjve, lëvizja më e fuqishme qytetare kundër qeverisë

Shkruar nga Pamfleti
"Mitingu i djeshëm i PS, elegjia e Ramës", Berisha:
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me protestat që prej 13 ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, duke i cilësuar ato si një lëvizje qytetare dhe rinore kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale, Berisha tha se protestat kanë lindur si reagim ndaj ngjarjeve në Zvërnec dhe mungesës së transparencës, por sipas tij janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër asaj që e quajti “regjim autokratik”.

Ai shtoi se protestat e të rinjve janë një përballje e drejtpërdrejtë me qeverinë.

“Prej 13 ditësh, Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedent, më madhështore në historinë e tyre. Kjo lëvizje në fakt është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës, narkoshtetin e tij”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha akuzoi qeverinë për manipulim të zgjedhjeve, korrupsion dhe largimin e të rinjve nga vendi, ndërsa tha se protestat po zhvillohen në emër të një Shqipërie me më shumë mundësi dhe dinjitet.

“Kjo protestë e fuqishme qytetare është protestë e bekuar nga Zoti. Rinia shqiptare u ngrit për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore, individuale dhe familjare, sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre”, tha ai.

Në fund të deklaratës, Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’u bashkohen dhe t’i mbështesin protestat.

“Duke përfunduar, unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre”, deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së ironizoi edhe aktivitetin e organizuar një ditë më parë nga Partia Socialiste me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj, duke e cilësuar atë si një “elegji”.

“Qytetare dhe qytetarë, demokrate e demokratë që ndiqni këtë bisedë, përsëri një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për mbështetjen, kurajën, guximin që dëshmuat këto pesë vite në mbështetje të kauzës që unë mbrojta. Të Sali Berishës dhe betejës së tij për dinjitetin njerëzor. Unë dua t’u garantoj ju, t’u siguroj secilin prej jush se unë ndërmora këtë betejë më të vështirën e jetës sime në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e atyre miliona shqiptarëve, të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi. Në këtë kuadër unë besoj se bëra detyrën time si njëri prej jush.

Dhe për ta mbyllur këtë, duke falënderuar edhe njëherë përzemërsisht administratën e presidentit Trump dhe sekretarin Rubio për korrigjimin që i bënë një vendimi fund e krye të padrejtë, u ftoj të mobilizojmë të gjithë energjitë tona, të bashkohemi në misionin tonë të madh, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe të ardhmes së merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Të dashur miq, prej 13 ditësh, Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedent, më madhështore në historinë e tyre.

Kjo lëvizje në thelb, në esencë, e cila filloi për shkaqe dhe ndjeshmëri qoftë të drejtash njeriu, zvarritja e banorit në Zvërnec në mënyrë shtazore, mungesa e plotë e transparencës për çdo gjë, për çdo zhvillim në atë vend dhe telat me gjemba, kjo lëvizje në fakt është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës, narkoshtetin e tij. Kjo lëvizje që ka në brendinë e vet guximin më të madh të kombit shqiptar, mbartës i të cilit janë të rinjtë shqiptarë.
Ka në brendinë e vet ndërgjegjen më të lartë kombëtare për t’u cliruar nga një regjim autokratik, i cili ka shndërruar zgjedhjet në farsë zgjedhore.
I cili arreston në vitin elektoral krerët e opozitës njëlloj si Zajedi i Tunizisë.
I cili ka shndërruar administratën në terroristë politikë të votës së shqiptarëve.
I cili ka vjedhur me organizatën e tij kriminale miliarda, miliarda euro dhe mund të jetë sot me pasuri përrallore të fshehura.

Mos harroni një gjë se një raport i OSBE deklaroi në vitin 2014 se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro, dhe kjo të siguruara të gjitha si kryetar bashkie me leje ndërtimi etj, imagjinoni tani kur ai vendosi në pjatë të gjithë Shqipërinë se sa ka.
Imagjinoni! Imagjinoni tani se sa merr ai vetëm me Portin e Durrësit, i cili është një pasuri publike e barabartë me 4 miliardë euro dhe e shndërron në Dubai Sitin e 1001 netëve të tij.

Imagjinoni sa ka marrë ai me rrugët që i ndërton me çmime 6 deri 10 fish më të larta se në BE. Sa ka plaçkitur ai me AKSHI-n e tij, ku projektet disbursohen për kunatin e bashkëshortes 100 përqind kur punimet janë zero ose afër zeros. Kjo protestë e fuqishme qytetare është protestë e bekuar nga Zoti. Rinia shqiptare u ngrit për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore, individuale dhe familjare, sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë po protestojnë sot sepse shkollat janë katandisur dhe ka rënie të tmerrshme, të turpshme në pikiatë. Sepse prindërit e tyre marrin pensionet më qesharake apo rrogat më të ulëta në Evropë. Sepse spitalet e Shqipërisë janë spitale jo të botës së tretë, por të katërt me mungesat më elementare. Se tërë këto politika në të vërtetë përbëjnë një gjenocid të mirëfilltë, të heshtur të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve. Duke përfunduar, unë bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo zgjedhësi, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për PD, por edhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që të ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tyre në këtë vend, të mbështesë çdo protestë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për mosmbështetjen e tyre.”, tha Berisha.

berisha protesta e te rinjve

1 Komente

  1. v
    vk

    Kujdes o njerez nga kjo specie 2-kembeshe! Po e pate verdalle largohuni, se helmon!

    Lini një Përgjigje