TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2026, 17:05

Nafta 214 lekë, justifikohet Rama: Kriza është globale, çmimet janë rritur kudo

Shkruar nga Pamfleti
Nafta 214 lekë, justifikohet Rama: Kriza është globale,
Edi Rama

Çmimi i naftës në Shqipëri ka arritur në 214 lekë për litër, ose rreth 2.2 euro, ndërsa kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të kësaj rritjeje, duke e lidhur me krizën globale të energjisë.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Njësinë 7 në Tiranë, Rama u justifikua se rritja e çmimeve nuk është një fenomen i izoluar në vend, por pjesë e një situate ndërkombëtare.

“Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu”, u shpreh ai.

Kreu i qeverisë pranoi se çmimi në Shqipëri ndikohet edhe nga taksat, veçanërisht ajo e qarkullimit, por sipas argumentit të tij, heqja e saj do të sillte kosto më të larta për qytetarët.

“Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot”, tha Rama.

Ai shtoi se filozofia e ndjekur nga qeveria është që ata që konsumojnë më shumë karburant të paguajnë më shumë.

“Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Rama paralajmëroi edhe ndërhyrje në treg përmes krijimit të një kompanie publike të naftës.

“Ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë… duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo strukturë synon të ndikojë në çmime dhe të mbrojë konsumatorët.

rama çmim naftë

Lini një Përgjigje