
Sali Berisha është ndalur këtë mbrëmje në Vlorë, ku ka prezantuar kandidatët “foltores” dhe po ashtu ka pasur një takim me strukturat vendase. Ajo që bie në sy është se Berisha do të shkojë në zgjedhje si koalicion me Metën, por këtë të fundit nuk e përmend asnjwherë në takime. Madje as koalicionin me të nuk e përmendi sot
Berisha tha se opozita tregoi një vendosmëri të madhe duke u ngritur nga hiri ku e kishin zhytur, dhe se tashmë shkojnë në zgjedhje me misionin për të rrëzuar nga qeveria Edi Ramën.
“Është jashtë çdo lloj dyshimi që këto zgjedhje janë më të rëndësishmet pas atyre të ’92, sepse bëhen në kushte të plota monizmi, por dhe në disa kushte që opozita nuk i ka përjetuar ndonjëherë. Pavarësisht nga vështirësitë, opozita dëshmoi një vendosmëri, u ngrit nga hiri ku e kishin zhytur, u pa që fuqi madhore të paimagjinueshme, ishin vërsulur dhe përdorur kundër saj, por jemi sot më të fuqishëm se kurrë për të përmbushur misionin tonë, fitore të pashmangshme.
Në këtë kontekst, gjithçka që do të varet nga mobilizimi ynë, fuqia dhe aftësitë tona për të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes.
Nesër PD në pushtet do ketë një program që se ka pasur kurrë më parë për konsolidimin e familjes. Ky vend braktiset se është në monizëm të bandave dhe krimit e drogës. Të gjitha këto janë forma që mjerojnë shoqërinë. Ne jemi misionar në këtë kontekst. Nuk kemi vetëm zgjedhje, kemi një mision me këto zgjedhje. Mision për të çliruar vendin nga ky monizëm.
Ndaj strukturat e partisë kanë detyrë të jashtëzakonshme, këto dy muaj të jenë muajt e përkushtimit maksimal për fitoren e Hysni Sharrës. Nuk duhet të lëmë vlonjatë pa folur me ta. Nuk stisim gjëra, i kemi të vërteta. Ne duhet të besojmë në fibrën atdhetare të njerëzve.
Po bëjnë gjithçka të na lënë jashtë zgjedhjeve dhe të marrin pjesë në zgjedhje…”, tha ai.