Profesori thotë se partitë politike në Shqipëri funksionojnë si organizma privatë që marrin në dorë shtetin.
Profesor Neritan Ceka thotë se protesta e qytetarëve në Tiranë shpreh pakënaqësinë ndaj një sistemi politik që, sipas tij, prodhon parti të varura nga lideri dhe elektorat të orientuar sipas të njëjtës logjikë.
Ceka tha se në politikën shqiptare ekziston një prirje e vjetër për t’u përshtatur me figurën e drejtuesit.
“Ka një traditë popullore për t'u klonuar që vjen nga e kaluara, pra për t'i ngjarë Beut, për t'i ngjarë feudalit, për t'i ngjarë Mbretit… Dhe tani kjo është bërë pjesë e politikës shtetërore dhe pjesë e partive. Partitë politike tona janë në fakt organizma private, të cilët marrin në dorë shtetin. Kjo është mënyra më e kollajshme e privatëve për të marrë shtetin, është partia politike. Dhe kjo është e sanksionuar me Kushtetutën e cila i jep të drejtën kryetarit të partisë që të bëjë listën e deputetëve. Kjo nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës. Kjo është tipike shqiptare dhe besoj që një pjesë e protestës është kundër këtij sistemi që është autoreferencial dhe natyrisht që lideri mundohet të klonojë partinë e tij, t'i ngjajë atij. Edhe shikoni që me vullnet apo pa vullnet, të gjithë flasin njësoj, si këta të PD-së, si ata të PS-së, si liderët e tyre, dhe klonimi arrin tek elektorati. Elektorati i tyre është i klonuar. Pra, mblidhen e thonë “nuk duam as bukë, as ujë”, por vetëm ju të jeni në pushtet”, tha Ceka i ftuar në emisionin “Off the Record”.
Sipas tij, qytetarët që ndodhen sot në shesh nuk i përkasin kësaj skeme politike. Ceka u shpreh se protesta mund të kthehet në një lëvizje dhe më pas në një forcë politike, nëse ruan pavarësinë nga logjika e klonimit që, sipas tij, ka dominuar partitë tradicionale.
“Pra, është një klonim i elektoratit dhe ajo që kemi ne në Tiranë sot nuk klonohet. Ata që kemi ne atje në shesh, ata nuk klonohen. Ndoshta në të ardhmen duhet të kenë kujdes sepse midis tyre ndodhet dhe klonuesi i ardhshëm. Nëqoftëse krijon një sistem dhe unë kam shpresë që nga një protestë të kthehet në një lëvizje, nga një lëvizje të kthehet në një parti dhe kjo është ajo që presim në këtë vend dhe unë do të them që dhe partitë e tjera nuk duhet ta shikojnë me frikë, duhet ta shikojnë me interes këtë që po ndodh. Pra, kur të tjerët bëjnë ata që s'e kanë bërë ata. Jam i sigurtë që brenda Partisë Socialiste ka njerëz që duan ta ndryshojnë sistemin. Edhe brenda PD-së prapë ka njerëz të tillë. Por, është shumë e vështirë. Duhet të ndryshojnë si njerëz, të mos pranojnë klonimin. Jemi në këtë fazë klonimi që unë mendoj që po i vjen një alternativë. Nuk po them që po i vjen fundi, por kjo që po ndodh ka bërë që të tërhiqet vëmendja e medias nëpërmjet qetësisë së tyre shpirtërore dhe qetësia shpirtërore na duhet në një moment që duhet të zgjidhim ca çështje të mëdha të kombit tonë”, shtoi Ceka.
Në qëndrimin e tij, Ceka e lidhi protestën me nevojën për ndryshim të sistemit politik dhe me refuzimin e modelit ku partitë ndërtohen rreth kryetarëve.
Lini një Përgjigje