Politike18 Shtator 2023, 21:31

Nga Avokati i Popullit te komisionet hetimore, aromë pazaresh në Kuvend? PS “ngrin” ligjin për pagat e Kushtetueses

Shkruar nga Pamfleti
Nga Avokati i Popullit te komisionet hetimore, aromë pazaresh në
Opozita parlamentare

Mazhoranca qeverisëse ka shtyrë sërish ligjin për të rritur pagat për anëtarët e Kushtetueses. Rrogat e gjyqtarëve do shkojnë në mbi 6 mln lekë në muaj, por ligji kërkon 84 vota. PS nuk e kap dot këtë kuotë dhe i duhen votat e opozitës. Grupi i Berishës dhe ai i Librazhdit kanë dalë kundër, ndërsa vetë Basha paralajmëroi se do japë votën pro.

Por në seancën e së enjtes Basha dhe deputetët e tij braktisën votimin dhe ligji ngeci. Pritej që në seancën e së enjtes të hidhej në votim, por mësohet se ai është shtyrë sërish. Vendimi u mor sot në grupin parlamentar të PS. Po ashtu është shtyrë dhe ligji për rihapjen e basteve. Edhe për këtë ligj PS do kërkojë votën e opozitës.

Por duket se në këtë mes do zbresim te pazaret. Mazhoranca po mban peng Avokatin e Popullit. Historikisht ky institucion i është lënë opozitës. Vjet PS e refuzoi kandidatin e PD dhe në ditët në vijim do rihapet debati. PS fillimisht paralajmëroi se do hapë konkurs dhe më pas do hedhë emrat në votim, por duke qenë se i duhen votat e opozitës atëherë duket se do fillojnë pazaret. Fakti që Basha premtoi se do votonte ligjin dhe u tërhoq, tregon se kërkon diçka në këmbim. Basha bashkë me ata që i shkojnë pas i bën diku te 10 vota, duke siguruar numrin që i duhet PS.

Po ashtu PS-së i duhen votat e opozitës për reformën zgjedhore. Komisioni rrezikon të skadojë dhe BE me SHBA kërkojnë që reforma të jetë gati para zgjedhjeve të ardhshme.

Ndërkohë opozitës i duhen vota e mazhorancës për komisionet hetimore. Grupi i Bardhit dhe i Berishës kanë kërkuar 3 komisione hetimore dhe e ka PS në dorë. Po ashtu vetë Basha do kërkojë komisione hetimore dhe duhen votat e PS. Nga ana tjetër planifikohet të ndërhyhet sërish te disa ligje të reformës në drejtësi, ku duhet konsensus. Me pak fjalë, po ndihet aromë pazari në Kuvend. /Pamfleti

kuvendi kushtetuesja