
KQZ po përballet me kërkesat nga kandidatët dhe subjektet për pamjet filmike të procesit të numërimit të votave. Kush janë garuesit e listave të hapura që dyshojnë për vjedhje votash brenda llojit?
Me përfundimin e procesit të numërimit të votave është konfiguruar tashmë edhe përbërja e Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 11 majit, ku socialistët e Edi Ramës numërojnë 83 mandate, PD-ASHM 50 mandate, PSD 3 mandate, Mundësia 2 mandate, ndërsa ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ dhe ‘Lëvizja Bashkë’ nga 1 mandat.
Po kështu janë formësuar edhe kandidatët që marrin mandat deputeti, ku përplasja më e fortë ka qenë në listat e hapura veçanërisht në qarqet Tiranë, Durrës e Shkodër.
Pikërisht duket se edhe dyshimet më të mëdha për deformimin e votës preferenciale është në këto qarqe, ndërsa kandidatët nuk kanë humbur kohë që të kërkojnë në KQZ pamjet filmike të procesit të numërimit të votave preferenciale.
I pari që paralajmëroi se do të kërkonte pamjet filmike ishte kandidati i ‘PD-ASHM’, në Qarkun Durrës, Aulon Kalaja. Ai ka marrë rreth 8 mijë vota preferenciale, por nuk ka mundur të marrë mandatin, pasi më i votuar se ai në listën e hapur të qarkut të Durrësit rezulton Arjan Ndoj, ish-prokurori që garoi për opozitën.
Ndërkohë dyshime janë ngritur edhe nga Shkëlqim Shehu, i cili me votat brenda vendit merrte mandatin në Kukës, por pas numërimit të votave të Diasporës, renditja ndryshoi edhe mandatin e mori Isuf Çela.
Gjithashtu Ilir Alimenhmeti, kandidati i PD-ASHM në qarkun e Tiranës, ka kërkuar pamjet filmike të numërimit të votave preferenciale, duke ngritur dyshime mbi numëruesit, qofshin përfaqësues të PD-së ashtu edhe të palës tjetër, socialistëve.
Altin Goxhaj një tjetër kandidat i listës së hapur të PD-së në Qarkun Tiranë gjithashtu kërkon pamjet filmike, duke ngritur pretendime se votat e tij kanë avulluar. Duket se dyshimet e Goxhajt kanë lindur pas rezultateve të shpallura në Njësinë Administrative 9 që përkon me KZAZ e vendosur te shkolla Sami Frashëri.
Ilirjana Kuçana nga Qarku i Durrësit, atje ku kandidonte në listën e hapur të koalicionit PD-ASHM, gjithashtu kërkon pamjet filmike të votave preferenciale.
Në anën tjetër, kandidatët e PS-së në Qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia, kërkojnë pamjet filmike të votave preferenciale pasi e shohin veten jashtë Parlamentit të ardhshëm, duke humbur përballjet brenda llojit me Olta Xhaçkën dhe Ornaldo Rakipin. Po kështu pamjet filmike i ka kërkuar edhe Etilda Gjonaj, një tjetër emër në rradhët e socialistëve që humbet mandatin e deputetit në Parlamentin e ri.
Adnan Shullani dhe Frrok Gjini, kandidatët e listës së hapur të PS-së në Shkodër, gjithashtu kanë kërkuar pamjet filmike, duke ngritur dyshime për manipulime votash, ndërsa socialistët në këtë qark kanë marrë 4 mandate.
Nga kandidatët e partive të vogla, i vetmi që ka ngritur pretendime është Rajmond Dervishi nga koalicioni ‘Eurotlantik’ me drejtues politik, Lulzim Bashën. Ky koalicion nuk ka mundur të marrë asnjë mandat, por gjithësei kërkesa është dorëzuar qoftë për votat e subjektit, ashtu edhe për ato preferenciale.
Gjithashtu Djathtas 1912, e Enkelejd Alibeaj, e cila ishte në koalicion me LZHK e Dashamir Shehit, ka kërkuar pamjet filmike nga KQZ për votat e Qarkut të Tiranës.
Po kështu demokratët e Sali Berishës pritet të dorëzojnë një seri kërkesash zyrtare lidhur me procesin e numërimit të votave, ashtu sikundër edhe PL, një prej partive të koalicionit ‘PD-ASHM’ që drejtohej nga Sali Berisha. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje