Politike24 Maj 2023, 17:48

Nga vetingu i politikanëve, te listat e hapura, Basha nis fushatën për kreun e PD dhe del me 4 propozime

Shkruar nga Pamfleti

Nga vetingu i politikanëve, te listat e hapura, Basha nis fushatën

Lulzim Basha ka nisur fushatën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Javët e fundit kishte shumë zëra në prapaskenë se ai do të tentojë të rikthehet, por sot vendosi të dalë hapur.

Basha mbajti një takim me të rinjtë. Ndonëse u mundua të mos japë sinjale se kërkon kreun e PD, u duk qartë se ai ka nisur fushatën për të rimarrë postin që la një vit më parë. Basha doli me 4 propozime konkrete.

Basha propozoi lista të hapura, veting në politikë, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe votën e emigrantëve. Pra duket si një lloj fushate, pasi janë objektiva që mund t’i realizojë vetëm një kryetar partie dhe aspak një deputet i thjeshtë. Ndërkohë vetë të rinjtë i dhanë sinjalet se kërkojnë rikthimin e tij.

Ftesa ime sot është mos t’u besojmë qytetarëve por përmes listave të hapura t’u besojmë qytetarëve. Të ndalim së besuari politikanëve dhe të marrim besimin në duart tona si qytetarë. Listat e hapura 100%”, tha Basha.

Nga ana tjetër ai propozoi veting në politikë. Sipas tij, duhet që të verifikohet pasuria e politikanëve njësoj siç po veprohet me drejtësinë.

Duhet veting për politikanët. Boll me akuza dhe shpifje. Secili që merr barrën e shërbimit publik, duhet të hetohet për asetet dhe pasuritë familjare dhe personale. Është gjuha që përdorin për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe vetingun në polici. Pse nuk kemi veting politikanësh? Ka më shumë se një vit që ndodhet një propozim për veting politik. Edhe listat e hapura kanë rrezik që pa vetingun e politikanëve të mos sjellin më të virtytshmit, por ata që bëjnë presione ndaj votuesit”, tha Basha.

Propozimi i tretë i Bashës ishte kufizimi i mandatit të kryeministrit. Sipas tij, një drejtues qeverie duhet të rrijë në detyrë vetëm 2 mandate. Po ashtu propozoi votën e emigrantëve.

Asnjë kryeministër që nuk mund të arrijë premtimet e dhëna në 2 mandate, nuk mund t’i bëjë ata për një mandat të tretë. Pra kufizimi i mandateve është i domosdoshëm. Gjithashtu edhe vota e emigrantëve. Rreth 45% e bashkëatdhetarëve tanë nuk ndodhen sot në vend, janë larguar në mënyrë masive por nuk kanë të drejtën të shprehen me votë. Është vendim i GJK-së, duhet zbatuar”, u shpreh Basha.

basha pd