
Transferimi i QKB-së tek “ministrja virtuale” rrezikon të heqë kontrollin amerikan mbi të dhënat strategjike, duke hapur dyert për arabët dhe lajkat e Ramës ndaj Pekinit...
“Ministrja” e fryrë e Edi Ramës, holograma virtuale ‘Diella’, ka ngecur që në ditët e para të punës së saj si administratore “inteligjente” e prokurimeve publike.
Prej më shumë se 34 orësh nuk funksionon Regjistri i Qendrës Kombëtare të Biznesit, ndërkohë që një ditë më parë nuk afishohej as databaza historike e prokurimeve për administratën. Operatorët që kanë si të vetmen urë pune këtë portë elektronike janë alarmuar, pasi rrezikojnë jo vetëm për pjesëmarrjen në gara, por edhe për transaksionet e prokurimeve të miratuara.
Kjo situatë nuk lidhet me ndonjë investim të ri ose robot elektronik të krijuar nga qeveria për të fuqizuar serverin dhe sigurinë e kësaj platforme jetike për biznesin, por me faktin se infrastruktura e QKB-së është ndërtuar nga një investim amerikan, i nisur që në mandatin e parë të Sali Berishës. Ky projekt u financua përmes programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), si pjesë e modelit “One Stop Shop”, një dritare unike për shërbimet, që përfshinte jo vetëm ngritjen e infrastrukturës, por edhe mirëmbajtjen e saj.
Biznesmenët dhe zyrtarët që ndërveprojnë me këtë sistem kanë marrë njoftimin se defekti është i përkohshëm, pasi serveri do të transferohet nga QKB tek “Diella”. Por ky veprim, që në dukje duket teknik, në realitet është shumë më i rëndë. Transferimi i serverit nënkupton shkëputjen e qeverisë amerikane nga mirëmbajtja, siç është në kontratë, dhe automatikisht pamundësinë e aksesit të shërbimeve dhe autoriteteve amerikane në të dhënat e regjistrit.
Kjo përbën një incident të hapur, pasojat e të cilit mund të bëhen të dukshme në ditët e ardhshme. Pyetja që lind është: kush e ka përgatitur serverin e “Diellës”? Sepse në teknologjinë e inteligjencës artificiale aktorët kryesorë janë SHBA dhe Kina. A do të jenë sërish amerikanët, apo në lojë po futen aktorë të tretë, si p.sh. qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila prej kohësh është bërë një mbështetëse e fortë e qeverive autoritare: nga Putini te Vuçiçi?
Kujtojmë se kjo qeveri ka financuar dhe mirëmban kamerat e instaluara nga Edi Rama në gjithë territorin e vendit, duke kontrolluar çdo lëvizje në Republikën e Shqipërisë. Ky fakt ngre pikëpyetje të forta për sigurinë e të dhënave tona, të cilat mund të jenë në duart e qeverisë së sheikut Zaed dhe aleatëve të tij.
A po marrin arabët edhe akses në “Diellën”, apo Rama po shkon edhe më larg?
Sot nga Vjena, kryeministri deklaroi se “Kina nuk është armike e jona”, lajka e katërt ndaj Pekinit brenda dy javësh. Një lëvizje që nuk duket rastësore, sidomos kur këto sinjale përkojnë edhe me qendrime të njerëzve që deri dje punonin ngjitur me zyrën e Ramës dhe sot shfaqen si analistë nëpër studio./Pamfleti
Lini një Përgjigje