
Shqiptarët do të votojnë nesër për krerët e bashkive në të gjithë vendin, ndërkohë që kanë nisur që sot problemet. Në 3 bashki do të votohet në mënyrë elektronike, që janë Elbasani, Vora dhe Kamza.
Por 100 qendra votimi në këto bashki rrezikojnë të bllokohen sepse operatorët kanë braktisur punën. KQZ kontaktoi operatorët duke lidhur kontrata me ta. Operatorët do jenë personat që do të merren me votimin elektronik dhe do orientojnë votuesit. Por në minutat e fundit janë tërhequr shumë prej tyre dhe në 100 qendra pritet që të ketë bllokim ose vonesa. Nënkomisionerja Lealba Pelinku në një komunikim me gazetarët tha se ligji parashikon që do të pritet 3 orë nga momenti që sistemi nuk funksionon dhe më pas do të kalohet në votim manual, pra me fletë votimi.
“Kodi zgjedhor i detyron ata të paraqiten në qendrën e tyre të votimit dhe të ushtrojnë detyrën deri në mbylljen e procesit. KQZ detyron operatorin Pej që të paraqitet në qendrën e votimit në orën 6 dhe mos paraqitja e detyron atë me përgjegjësi ligjore”, tha ajo.
Partitë kanë nisur nga manovrat me ndryshimin e komisionerëve, duke pasur frikë se kundërshtari mund të blejë përfaqësuesit e tyre në qendrat e votimit. Partitë e kanë traditë që pak orë para zgjedhjeve i ndryshojnë komisionerët, ose përfaqësuesit e tyre në KZAZ. Mësohet se në Korçë, Koalicioni Bashkë Fitojmë ka ndryshuar të gjithë kryetarët dhe sekretarët e qendrave të votimit. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe forcat e tjera në shumë qarqe.
Ndërkohë një problem tjetër që mund të sjellë pengesë është se në shumë qendra, Partia Demokratike nuk ka çuar komisionerë. Pritet që sot të bëhet plotësimi, por gjithsesi mbetet të shihet. Një tjetër problem është dhe transportimi i materialeve zgjedhore. Që sot makinat e ushtrisë kanë nisur shpërndarjen dhe problemi më i madh janë fshatrat e thellë në veri të vendit. /Pamfleti