TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Qershor 2026, 15:16

Një datëlindje në mes të stuhisë!

Shkruar nga Pamfleti
Një datëlindje në mes të stuhisë!
Foto ilustruese

Teksa Edi Rama ngjitet në skenën e festës, jashtë saj vijojnë protestat, ndërsa brenda së majtës shtohen thirrjet për reflektim. Arta Dade flet për "zaptimin" e PS-së, Ditmir Bushati kërkon ndarje mes pushtetit dhe shtetit, Elisa Spiropali ngre pyetje mbi kufijtë e pushtetit, Erion Braçe vijon kritikat e tij, ndërsa Pandeli Majko kujton se historia e socialistëve ka qenë gjithmonë histori mbijetese...

Partia Socialiste mbush sot 35 vite nga themelimi i saj. Një ditë që teorikisht duhet të ishte festë për forcën politike që qeveris vendin prej më shumë se një dekade. Por rrallëherë një përvjetor e ka gjetur Partinë Socialiste kaq larg atmosferës së triumfit dhe kaq pranë një klime mosbesimi, zemërimi dhe përplasjeje të hapur me një pjesë të shoqërisë.

Teksa skena po përgatitet për fjalimet festive, jashtë saj vijojnë protestat që prej ditësh kanë mbushur rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera. Një revoltë e pazakontë, e lindur nga qytetarë dhe jo nga partitë politike, e cila ka kthyer në qendër të debatit pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe mënyrës se si po administrohen pasuritë publike. Pikërisht në këtë klimë, 35-vjetori i socialistëve po shndërrohet më shumë në një moment llogaridhënieje sesa në një festë.

Nuk janë vetëm protestuesit ata që po kërkojnë reflektim. Brenda vetë familjes socialiste po dëgjohen zëra që deri pak kohë më parë do të ishin të paimagjinueshëm. Figura historike dhe ish-drejtues të rëndësishëm të PS-së kanë dalë hapur kundër kursit të ndjekur nga Edi Rama, duke ngritur shqetësime për largimin e partisë nga idealet mbi të cilat u ndërtua.

Ish-ministrja dhe ish-deputetja Arta Dade ka zgjedhur të rreshtohet në krah të protestuesve, duke deklaruar se "socialistët e vërtetë" nuk ndodhen në aktivitetin e organizuar nga partia, por në shesh, aty ku sipas saj po kërkohet dinjitet dhe drejtësi sociale. Në një reagim të ashpër, ajo flet për një PS të tjetërsuar nga korrupsioni, klientelizmi dhe arroganca e pushtetit, duke akuzuar Ramën se ka kthyer partinë në një strukturë që nuk ngjan më me organizatën që lindi si simbol i ndryshimit politik në fillim të viteve '90.


Edhe më i drejtpërdrejtë ka qenë ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në një analizë të gjatë politike, ai i cilësoi protestat si "protesta të dinjitetit", duke argumentuar se ato kanë nxjerrë në pah hendekun e krijuar mes pushtetit dhe qytetarëve. Sipas Bushatit, zemërimi që ka shpërthyer në rrugë është pasojë e një modeli që ka përqendruar pushtetin, ka dobësuar debatin e brendshëm dhe ka larguar Partinë Socialiste nga zotimet me të cilat erdhi në qeveri në vitin 2013. Mesazhi i tij ishte i qartë: PS duhet të dalë nga mohimi dhe të reflektojë para se të humbasë arsyen e ekzistencës së saj politike.

Në të njëjtën linjë, edhe Elisa Spiropali ka zgjedhur një gjuhë të pazakontë për një prej figurave më të rëndësishme të shumicës. Duke krahasuar protestat e sotme me ngjarje simbolike të historisë së tranzicionit, ajo foli për nevojën e një "marrëveshjeje të re për Shqipërinë", ku shteti të jetë më i madh se pushteti dhe institucionet më të forta se individët që i drejtojnë. Në thelb të mesazhit të saj ishte kërkesa për më shumë kontroll mbi pushtetin, më shumë garë politike, më shumë llogaridhënie dhe më shumë hapësirë për mendimin ndryshe.

Ndërsa Pandeli Majko, një nga figurat më jetëgjata të së majtës shqiptare, zgjodhi simbolikën. Në ditën e 35-vjetorit ai solli vargjet e Dritëro Agollit dhe kujtoi se historia e socialistëve ka qenë gjithmonë një histori mbijetese dhe ndryshimi. Por edhe mes urimit të tij lexohej pesha e së shkuarës dhe mesazhi se asnjë forcë politike nuk mund të ecë përpara pa u përballur me historinë e vet.

Kështu, në ditën kur Partia Socialiste feston 35 vite jetë, Edi Rama nuk gjendet në kulmin e një triumfi politik, por në qendër të një stuhie që vjen njëkohësisht nga rruga dhe nga brenda shtëpisë së tij politike. Në njërën anë janë protestuesit që kërkojnë ndryshim, në anën tjetër socialistët që kërkojnë rikthim te parimet. Dhe mes tyre qëndron kryeministri, përballë sfidës më të madhe politike të viteve të fundit: të bindë se Partia Socialiste e 35-vjetorit vazhdon të jetë e njëjta forcë që dikur premtoi të ndryshonte Shqipërinë. /Pamfleti

rama ps

4 Komente

  1. T
    Tarrasi

    Qiriu thelle ne fyt te ngecte!

    1. e
      era

      Kjo eshte mendet ditelindje. Rama e shkaterroi te majten. Ndertoi rarafin e tij, dhe zhduku cdo vlere ne histori te kesaj partie. Rqma perdori partine per te marr pushtetin, e me pas ndertoi klientet e oborrit tij Ne emer te partise socialiste nen flamurin e saj, Edi Rama u be avokati me i zjarrte i grupeve me te rrezkshme kriminale shqiptare dhe te huaj. E ktheu Shqiperine ne nje rruge kryesore tevtrafikut dhe ne nje megalavatrice re pastrimit ta parave hale kudo, sidomos ne kullat shume kateshe, nje katastrofe me vete urbane. Dhe sot do dali dhe festoj kete shkaterrim prape nen flamurin e PS. E ngriti korrupsionin ne sistem. Kryeministri me i pasur ne europe. Kryehajduti sot feston placken e vjedhur me banden e tij. E neveritshme. Shqiptare zgjohuni. Sot ne 18:00 me shume se kurre.

      1. j
        jeta

        sot me urdher gjithe administrata e fierit eshte ne Tr. Organizim me autobuze. Ky plera do te tregoje qe ka mbeshtetje. Ne jemi detyruar ne menyre te organizuar te shkojme. Bejne apel. Gjithcka e sforcuar, na e shpifen.

        1. s
          soleil

          Nuk kuptoj si rri akoma?!?!?!?E paimagjinueshme por ja qe ndodh dhe sot. Ky eshte koka e korrupsionit. Nje shtet vrima vrima. Nje turp i madh. Nje situate e dale totalisht jasht kontrollit jashte shinave te ligjit. Na shkaterruan fare neve qe perpiqemi mundohemi te punojme drejt, dhe nuk arrijme dot te mbyllim muajin. Cdo investim flluske. Cdo gje show. Ketu nul ka zhvillim. I vetmi biznes qe behet eshte trafiku i droges. Dhe leket e droges qe pastrohen ne ekonomi ne ndertim, na shiten nga propoganda si rritje ekonomile. Ky eshte nje kerme qe po qelb gjithe dynjane.

          Lini një Përgjigje