Deputeti socialist: Nuk pati përplasje, vendosa të mos hyj për të shmangur keqinterpretimet
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas lajmeve të publikuara në disa media, ku pretendohej se ai ishte ndaluar apo përfshirë në një incident gjatë një aktiviteti të PS në njësinë 7, ku ishte i pranishëm edhe Edi Rama.
Në reagimin e tij publik, Braçe i hedh poshtë këto pretendime, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë incident dhe se aktiviteti është zhvilluar normalisht, me dyer të hapura.
“Nuk ka pasur asnjë incident! Dyert ishin të hapura. Nuk hyra unë dhe nuk hyra sepse m’u duk që do t’i bëja karshillëk partisë sime. Dhe unë nuk jam i tillë, nuk i kam bërë kurrë karshillëk partisë sime.
Ndërkohë, unë nuk e kam bërë dhe nuk e bëj këtë lloj politike – karshillëk, konflikt, sherr, fyerje, shpërfillje, relativizim, nënvlerësim, shpifje, thashetheme në xhiro, marrje fjalësh brenda dhe nxjerrje jashtë, fantazim për çfarë ndodh brenda dhe nxjerrje e tyre si të vërteta, etj. E neveris këtë politikë!
Por nuk i vë faj medias, por të njëjtëve në PS që shpërndajnë këto lajme!
Po, prej një jete kam bërë atë politikën tjetër që është shërbim publik, që ka në qendër njerëzit dhe shërbimin konkret për ta!”, shprehet Braçe.
Lini një Përgjigje