Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për përplasjen që ai pati një javë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, me ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë socialiste në Baldushk, Rama tha se në 7 orë mbledhje të shtunën e kaluar ku u diskutua për punët dhe shqetësimet e qytetarëve, mediat pasqyruan vetëm debatin e tij me deputetët.
"Qëndruam në atë mbledhje nga ora 11 deri në 6 pasdite, faktikisht kemi qenë 7 orë mbledhje. Në ato 7 orë mbledhje dhe nga të gjitha ato diskutime bëmë, mediat, s’po flas këtu për portalet, pasqyrat dhe tenxherat e vogla, por po flas për mediat kombëtare, lajm kryesor bënë ça i thashë unë njërit, ça i thash tjetrës…ku populli e njerëzit e ku mediat dhe lajmi. Mirëpo, ky shembull që solla nuk ka ndonjë problem, por problemi është kur përhapen gjithëfarëlloj gjysmë të vërtetash që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.
Po më thoshte Xhemali (Qefalia) që këtu kanë shkuar mbi 100 e ca aplikime për paketën e maleve. Ky është interes i të gjithëve, se për një agroturizëm apo bujtinë, do të punësohen njerëz nga kjo zonë, është e lidhur me prodhimin në këtë zonë. Prandaj, ne duhet t’i diskutojmë këto me njëri-tjetrin.", tha Rama.
Brenda takimit me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PS më 28 Mars, ka ndodhur një përplasje mes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eriona Ismailit, dhe deputetes Elisa Spiropali.
Në momentin që Ismaili ka marrë fjalën për të folur për strategjinë e komunikimit, mësohet se ka pasur një reagim prej Spiropalit. Nuk dihet ekzaktësisht çfarë mimike ka bërë deputetja, e cila më pas ka nxitur një ndërhyrje prej Ismailit.
“Ka ndonjë gjë për të qeshur këtu?”, i është shprehur Ismaili, që më pas është mbështetur edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit duke i thënë se s’mund të ndërhyjë ndërsa flet ministrja.
Më pas, situata ka përshkallëzuar, çka ka bërë që Rama të ashpërsojë tonet ndaj Spiropalit duke i thënë:“Mos më detyro të vij vetë aty të të nxjerr jashtë.”
Lini një Përgjigje