
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë pasditen e sotme në orën 18:30 një takim me deputetët socialistë të Tiranës dhe drejtuesit e strukturave të Bashkisë së kryeqytetit. Mbledhja do të mbahet në një nga hotelet e Tiranës dhe konsiderohet pjesë e një serie takimesh që Rama ka ndërmarrë për të intensifikuar lidhjen me bazën dhe për të forcuar angazhimin lokal.
Ky është takimi i radhës që konfirmon se PS po përgatitet për një “verë pune”, larg pushimeve politike. Kryeministri u ka kërkuar deputetëve të jenë të pranishëm në terren, të zhvillojnë takime me qytetarët dhe të evidentojnë problemet që hasin lagje të ndryshme të Tiranës. Synimi, sipas burimeve pranë selisë rozë, është që të hartohet një plan konkret ndërinstitucional për adresimin e këtyre çështjeve.
Deputetët, gjatë javëve të fundit, kanë lëvizur në zonat që mbulojnë dhe kanë mbledhur informacione nga komuniteti. Në takimin e sotëm, ata pritet t’i raportojnë Kryeministrit situatën e gjetur dhe të diskutojnë hapat që do të ndiqen për të përmirësuar performancën në nivel vendor. Kjo lëvizje tregon se Rama synon të mbajë gjallë frymën organizative të PS, edhe jashtë cikleve zgjedhore.
Lini një Përgjigje