TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Shkurt 2026, 18:10

“Nuk ka rrugë tjetër përveç forcës”, Alimehmeti: Më 10 shkurt të bashkohemi kundër Ramës!

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk ka rrugë tjetër përveç forcës”,
Foltorja në Kamëz

Ilir Alimehmeti, ka bërë thirrje për mobilizim opozitar më 10 shkurt, gjatë foltores në Kamëz, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për dështim në arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë, si dhe për largimin masiv të të rinjve nga vendi.

Në fjalën e tij, Alimehmeti tha se matësi kryesor i funksionimit të një shteti është rinia dhe perspektiva që ajo sheh brenda vendit. Sipas tij, emigrimi i të rinjve është një “notë ngelëse” për qeverinë aktuale.

“Nëse duam ta masim një shtet, e masim me rininë. Rinia e sheh të ardhmen këtu apo ikën? Në qoftë se ata ikin, i thonë qeverisë: ti ke notën ngelëse,” u shpreh ai.

Alimehmeti renditi arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë si tre shtyllat bazë të shtetit, duke deklaruar se ato janë të neglizhuara. Ai përmendi problematika të njohura publike, si cilësia e arsimit, funksionimi i sistemit shëndetësor dhe çështje që lidhen me sigurinë publike, përfshirë rrugët dhe furnizimin me ushqime e ilaçe.

Sipas tij, këto dështime ndikojnë drejtpërdrejt në vendimin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, për t’u larguar nga Shqipëria.

Në këtë kontekst, anëtari i Këshillit Kombëtar,  bëri thirrje që më 10 shkurt opozita dhe qytetarët të bashkohen në protestë, duke theksuar se, sipas tij, përballë kryeministrit Rama “nuk ka rrugë tjetër përveç forcës”, të cilën e cilësoi si një përgjigje të fortë, të qëndrueshme dhe të përshkallëzuar në shesh.

“Për karshi Edi Ramës nuk ka rrugë tjetër përveç forcës, përveç përgjigjes së fortë dhe të qëndrueshme,” deklaroi Alimehmeti.

Ai vlerësoi gjithashtu mbështetësit e Partisë Demokratike për, sipas tij, ringritjen e partisë pas një periudhe të vështirë, duke përmendur drejtues lokalë dhe kryetarin e PD-së, Sali Berishën.

Thirrja e Alimehmetit vjen në një klimë të tensionuar politike, ku opozita ka paralajmëruar protesta kundër qeverisë, ndërsa mazhoranca ka hedhur poshtë akuzat për dështime strukturore, duke i cilësuar ato si retorikë politike.

Protesta e paralajmëruar për 10 shkurt pritet të jetë një tjetër test i mobilizimit opozitar dhe i përplasjes politike mes palëve.

foltorja në kamëz berisha alimehmeti

Lini një Përgjigje