TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Shtator 2025, 12:19

Pamfleti ndryshon linjën editoriale

Shkruar nga Pamfleti

Pamfleti ndryshon linjën editoriale

Në një kohë kur propaganda po asfikson lajmin dhe autoritarizmi tallet me seriozitetin, e vetmja armë e mbetur është cinizmi dhe humori; kjo do të jetë arma jonë...

"Pamfleti" ka hyrë në një fazë të re. Deri dje, ne denonconim me seriozitet, numëronim aferat dhe i shpjegonim një për një. Por sot, qeveria nuk është më një qeveri, është një trupë cirku me ministra kukulla, me puthadorë të rekrutuar dhe me një ministre imagjinare të quajtur ‘Diella’.

Pamfleti ndryshon linjën editoriale

Institucionet janë kthyer në fasada të zbrazëta, mediat e kapura janë zyrat e propagandës dhe politika është shndërruar në biznes.

Në këtë realitet, serioziteti nuk ka më efekt. Ajo që funksionon është tallja.

Historia e ka provuar se edhe diktaturat më të forta janë shembur nga barcaletat.

Në Shqipërinë e fundviteve ’80, kur frika ende mbizotëronte, barcaletat politike u bënë arma e vetme e guximit. Me to, njerëzit e zhveshën pushtetin nga solemniteti dhe e kthyen në qesharak.

Në Bashkimin Sovjetik, anekdotat për Brezhnjevin dhe burokracinë ishin më të përhapura se propaganda e partisë, dhe kur njerëzit qeshën me partinë, ajo praktikisht kishte humbur autoritetin.

Në Gjermaninë Lindore dhe në Rumani, përpara rënies së Murit dhe përmbysjes së Çaushescut, barcaletat ishin prova se pushteti ishte i kalbur dhe i papërfillur. Dhe kur njerëzit filluan të qeshnin me liderët, ata liderë kishin marrë fund.

Ky është mësimi që sjellim sot: vetëm me cinizëm, vetëm me humor të zi, vetëm me pamflet therës mund të shkatërrosh mitin e pushtetit absolut. Sepse autoritarizmi mund të durojë akuzat, mund të përballojë protestat, madje mund të blejë heshtjen. Por nuk përballon dot të qeshurën. Qeshja e bën qesharak, barcaleta e bën të vogël, pamfleti e shndërron nga “lider i pathyeshëm” në një karikaturë të mjerë.

Prandaj, nga sot, Pamfleti do ta thotë të vërtetën me humor dhe cinizëm. Do të bëjmë atë që diktaturat nuk e duan kurrë: do t’i kthejmë në barcaletë. Sepse edhe pushteti më arrogant bie në gjunjë jo përballë forcës, por përballë talljes.

Dhe në këtë betejë, ne nuk do të jemi vetëm. Ne i ftojmë të gjithë humor-shkruesit, satiristët, pamfletistët, të gjithë ata që dinë të thumbojnë me penë dhe të qeshin me pushtetin, të gjejnë një dritare tek ‘Pamfleti’. Sepse në këtë republikë aferash e kukullash dixhitale, arma jonë më e fortë është cinizmi. Dhe këtë armë do ta përdorim deri në fund./Pamfleti

pamfleti linja editoriale

Lini një Përgjigje