
Pas 29 vitesh, Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve në monitorim nga KiE.
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani shkruan se angazhimi i Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës, ka qenë i palëkundur, duke dhënë edhe rezultatet e shumëpritura.
Ai falenderon Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportuesin për Shqipërinë Iounut Stroe.
“Faleminderit Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportuesit Ionut Stroe, për njohjen e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën tonë kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë në të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Angazhimi i Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës, ka qenë i palëkundur dhe përpjekjet tona të pandërprera më në fund po japin rezultatet e shumëpritura”, shkruan Hasani në rrjetet sociale.
Shqipëria është vlerësuar nga Këshilli i Europës për progresin e bërë këto vite. Raporti ka vlerësuar si të suksesshëm ecurinë e reformës në drejtësi. Gjithashtu është vlerësuar trajtimi i minoriteteve në vend si dhe grupeve vulnerabël, por pa harruar edhe përparimin në demokraci.
Shqipëria është anëtarësuar në KiE në 13 Korrik 1995 dhe është në procedurë monitorimi që atë vit. Që nga viti 1995 deri më sot janë miratuar 6 raporte monitorimi (1997, 2000, 2004, 2007, 2010, 2014), ndërkohë që çdo vit mes raporteve janë miratuar Nota informuese vjetore.
Tre çështje shqetësuese të ngritura pothuaj në çdo raport kanë qenë kryesisht të lidhura me të drejtat e minoriteteve, korrupsioni dhe sistemi drejtësisë tepër i dobët.
Lini një Përgjigje