TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Tetor 2025, 19:33

Pas Tiranës, PS zyrtarizon kandidatin për Bashkinë e Matit

Shkruar nga Pamfleti

Pas Tiranës, PS zyrtarizon kandidatin për Bashkinë e Matit

Partia Socialiste ka shpallur zyrtarisht kandidatin për kryetar bashkie në Mat për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Në një mbledhje të zgjeruar të Asamblesë së PS-së në këtë rreth, është vendosur që kandidati i mazhorancës të jetë Altin Bojni.

Mbledhja u fokusua në dy çështje kryesore: analizën e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe hartimin e strategjisë për fitoren në garën e radhës. Kryetari i PS Mat, Hasan Pasha, prezantoi shifrat ku socialistët siguruan 60% të votave kundrejt 36% të Partisë Demokratike. Ai falënderoi strukturat dhe organizatat që kontribuan në terren, por theksoi se ekziston hapësirë për të rritur më tej rezultatin.

Deputeti i zonës, Agron Malaj, vlerësoi konsolidimin e PS-së në Mat dhe ndikimin e projekteve të qeverisë në forcimin e besimit të qytetarëve. “Thellimi i fitores është rezultat i punës së strukturave dhe investimeve konkrete nga qeveria Rama në këtë zonë. Tashmë është koha për të përforcuar terrenin dhe për të fituar bindshëm më 9 nëntor”, u shpreh Malaj.

Me shpalljen e kandidatit, socialistët i hyjnë garës në Mat me objektivin për të konfirmuar dominimin e tyre elektoral, ndërkohë që opozita e ndarë dhe e dobësuar pritet ta ketë të vështirë të përmbysë rezultatin.

Lini një Përgjigje