
Partia Demokratike ka ngritur akuza të forta për manipulim votash në zgjedhjet e 11 majit, duke pretenduar se në KZAZ nr. 40 në Tiranë është përdorur skema e njohur si “Treni Bullgar”. Përmes një deklarate zyrtare, PD kërkon këqyrjen e pamjeve të kamerave në katër qendra votimi brenda kësaj zone.
Sipas PD-së, të gjitha fletët e votimit të gjetura në kutitë përkatëse rezultojnë të palosura në mënyrë identike dhe të bashkuara, gjë që sipas saj është një tregues i qartë për përdorimin e kësaj metode të vjetër manipulimi.
“Manipulimi i votave në zgjedhjet e 11 majit dëshmohet nga fakti në video, ku fletët e votimit janë të palosura në të njëjtën formë dhe simetri, çka tregon qartë fenomenin e njohur të ‘Trenit Bullgar’,” thuhet në deklaratën e PD-së, e shpërndarë nga kryetarja e degës 9, Eda Grimci, direkt nga vendi i ngjarjes në shkollën “7 Marsi”.
Kjo akuzë vjen pas një incidenti tjetër të ndodhur gjatë ditës në të njëjtën zonë, ku Partia "Mundësia" ka protestuar ndaj shpalljes së 7 votave të saj si të pavlefshme, për shkak të ngjyrës së përdorur në votim. Pas tensioneve me vëzhguesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërhyrë dhe i ka cilësuar të vlefshme votat në fjalë.
Në reagimin e saj, Partia Demokratike shpreh shqetësim se tentativa për manipulim është e përhapur dhe se përdorimi i metodave si “treni bullgar” mund të ketë ndikuar në rezultatin përfundimtar në disa zona.
Opozita kërkon transparencë të plotë, hetim të menjëhershëm dhe vëzhgim të pamjeve filmike për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Lini një Përgjigje