
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Kërkesa u bë e ditur nga kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, pas mbledhjes së ditës së sotme. Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, Bardhi sqaroi se komisioni synon të analizojë në mënyrë të detajuar funksionimin e AKSHI-t dhe se kontrolli parlamentar është një mekanizëm i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe për mbrojtjen e interesit publik. Bardhi gjithashtu i bëri thirrje mazhorancës që të mos pengojë ngritjen e komisionit hetimor.
“Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Sot Grupi Parlamentar ndër të tjera vendosi që të kërkojë ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe për vlerësimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave të qytetarëve, përfshirë analizimin e rreziqeve për sigurinë kombëtare dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Kontrolli parlamentar është i domosdoshëm për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe mbrojtjen e interesit publik. Si një e drejtë kushtetuese e opozitës, apelojmë mazhorancën të tregohet e përgjegjshme dhe të mos pengojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje