
Sekretari ligjor i Partisë Demokratike, Indrit Sefa ka dhënë detaje në lidhje me vendimin e kryesisë për të përjashtuar nga grupi parlamentar 11 deputetë.
Sefa në reagimin e tij thekson se vendimi është marrë një vit më parë, ndërsa ka ironizuar dhe reagimet e deputetëve.
Ndër të tjera në postimin e tij ai shkruan se PD-ja administron me kujdes të gjitha vendimmarrjet dhe qëndrimet e secilit të mbajtura në organet e brendshme të PDSH për të gjitha çështjet siç është dhe ky rast.
"Në funksion të transparencës dhe të debatit publik në lidhje me reflektimin e disa vendimmarrjeve të organeve të Partia Demokratike e Shqipërisë në vite, dua të theksoj se në datën 26.09.23 i është komunikuar Kuvendit të Shqipërisë lista e përditësuar e Grupit Parlamentar të PDSH.
Habia që ka kapluar disa deputet është sa për të qeshur aq dhe për të qarë. Kushdo që sot mendon se disponon të vërteten absolute nuk duhet të harroj vendimmarrjet e Kryesisë së PDSH të datës 10.01.2022 ku me votat e tyre përjashtuan dhe pezulluan po këta deputet që sot i qajnë hallin. Kushdo që nuk njeh organet legjitime të PDSH-së dhe vetë përjashtohet sa herë që nuk i vjen për shtat vendimmarrja, nuk besoj se duhet të shqetësohet.
Partia Demokratike nuk ka bëre asgjë më shume sesa i ka lehtësuar dilemën Hamletjane që i kishte pushtuar prej shumë kohësh këta deputet dhe i ka dhënë mundësinë që të jenë ligjërisht, fizikisht dhe mendërisht aty ku ata kanë zgjedhur prej kohesh të jenë. Fatmirësisht Partia Demokratike me shumë kujdes administron të gjitha vendimmarrjet dhe qëndrimet e secilit të mbajtura në organet e brendshme të PDSH për të gjitha çështjet siç është dhe ky rast. Memoria historike është aset i madh dhe domosdoshëm që na ndihmon mos të bëjmë gabimet e të kaluarës", shkruan Sefa.
Lini një Përgjigje