Politike17 Mars 2023, 11:49

PD gati të regjistrohet në zgjedhje, Alibeaj firmos deklaratën solemne në cilësinë e kryetarit të komanduar

Shkruar nga Pamfleti
PD gati të regjistrohet në zgjedhje, Alibeaj firmos deklaratën

Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin e PD-së në zgjedhje. Dokumentacioni i plotësuar është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kjo deklaratë solemne “për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet” u bë edhe “kali i betejës” së PD-së së Enkelejd Alibeajt, pas marrjes së vulës nga Gjykata e Tiranës.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi këmbënguli që kjo kompetencë nuk mund të delegohej, pra sipas tij duhet të ishte firmosur nga Lulzim Basha, e për rrjedhojë vendosi mos regjistrimin e saj në 14 maj. Mirëpo, KAS që njihet si “gjykata e KQZ” hodhi poshtë vendimin e Celibashit dhe vendosi që ky dokument mund të firmoset edhe nga kreu i komanduar, Enkelejd Alibeajt.

Ditën e djeshme KAS ka pranuar zhvillimet në PD se Basha është dorëhequr dhe ka kërkuar që deklarata solemne të nënshkruhet nga drejtuesi i komanduar Enkelejd Alibeaj. Po ashtu i ka dhënë urdhër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve që të regjistrojë PD dhe ajo të jetë pjesë e garës.

Në përfundim të shqyrtim KAS, bazuar në nenin 21 të Kodit Zgjedhor, vendosi: rrëzimin e kërkesës ankimore më numër 33 të ankuesit Partia Demokratike përfaqësuar nga zoti Ledio Nuraj. Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore numër 32 të ankuesit Partia Demokratike përfaqësuar nga zoti Indrit Sefa. 

Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemne të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhej në vendimin e lexuar nga relatori i çështjet, Koli Bele. Nga ana tjetër KAS i mbylli Berishës derën e PD, i cili tani do fshihet pas Ilir Metës.

Dokumenta bashkëngjitur