Një tjetër kryebashkiak i PS-së në telashe. Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka mbërritur sot në Prokurorinë e Posaçme. Nuk dihet ende për cilën çështje është thirrur. Artur Bushi është një emër i përfolur dhe i akuzuar shpesh nga opozita për të kaluarën e tij. Ditën e djeshme ka qenë në SPAK, ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili është marrë në pyetje për rreth 3 orë.
Këto lëvizje vijnë vetëm një ditë pas arrestimit me urdhër të SPAK të kryetarit të bashkisë së Bulqizës Lefter Alla si dhe disa zyrtarëve të tjerë të kësaj bashkie, përfshirë nënkryetaren për abuzim me tenderin e rrjetit të ujësjellësit.
Artur Bushi, rezulton një nga zyrtarët lokalë më të denoncuar në Prokurorinë e Posaçme me 7 kallëzime penale. Për tre nga denoncimet është vendosur regjistrimi i procedimit penal për verifikimin e faktit, por pa nisur hetimet ndaj Artur Bushit.
Ndërkohë dy padi të tjera nuk janë pranuar nga SPAK, dhe grupi i hetimit ka vendosur dërgimin e tyre për kompetencë në prokurori të tjera, dhe për 2 materiale kallëzuese është vendosur mosfillim procedimi për shkak të mungesës së provave ose për shkak se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Pavarësisht numrit të madh të padive penale emri i Artur Bushit, nuk është i regjistruar në regjistrin e procedimeve penale deri në këtë fazë, për asnjë prej denoncimeve.
Ai u përfshi në politikën lokale pas kthimit në Shqipëri nga Italia, duke u zgjedhur kryetar i Komunës Thumanë, në vitin 2011. Dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, për deputet në qarkun e Durrësit dhe fitoi mandatin.
Në gusht 2015, ai u bë kryetar bashkie në Krujë ndërkohë që një investigim i BIRN po atë vit zbuloi se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës. Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane. Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.
Ndërsa Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati për miratimin e një leje ndërtimi, pallat i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Dako, është figura kryesore e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe figura më e përfolur lidhur me kontaktet e tij në botën e krimit në këtë zonë.
Kjo nuk është hera e parë që SPAK thërret dhe merr në pyetje zyrtarin e PS në Durrës. Në muajin Maj të vitit 2019, Dako, u pyet për 5 orë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lidhjen e tij me grupin e Avdylajve të Shijakut, si dhe për shitblerjen e votave, në zgjedhjet lokale të 2017.
Edhe pas shpalljes familjarisht “Non grata” nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje, por vetëm pak muaj më vonë ky institucion u shkri pas krijimit të SPAK dhe çështja kundër tij i kaloi Prokurorisë së Posaçme.
Lini një Përgjigje