Politike13 Shtator 2023, 14:55

Posti i ri i Lulzim Bashës në KiE, ironizon Berisha: Ai ka eksperiencë me rusët!

Shkruar nga Pamfleti
Posti i ri i Lulzim Bashës në KiE, ironizon Berisha: Ai ka
Sali Berisha

Grupi i deputetëve që janë në krah të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit bashkë me aleatët u takuan sot për herë të dytë.

Një ditë përpara seancës së Kuvendit për të akorduar aksionin në parlament kundër qeverisë.

Ish-kryeministri Sali Berisha pas takimit ka ironizuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, i cili mori ditën e djeshme detyrën nga Këshilli i Europës.

I pyetur për lajmin se Lulzim Basha u emërua reporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, Berisha e ironizoi duke i kujtuar dosjen e lobimit rus në SHBA.

“Ai eksperiencë me rusët ka, kaq mundë të them” tha Berisha duke e shoqëruar përgjigjen me një buzëqeshje.

Ditën e djeshme Komiteti për Çështje Politike dhe Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës votoi me unanimitet për të emëruar Bashën në këtë pozicion.

Më herët Basha kishte paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Europës, që bënte thirrje për konfiskimin e aseteve ruse, krijimin e një fondi ndërkombëtar ku të depozitohen asetet e konfiskuara dhe vendosjen e këtyre fondeve në dispozicion të financimit për projektet e rindërtimit të Ukrainës.

 

berisha basha rusët