
Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa ka hedhur akuza të forta mbi grupin e Gazment Bardhit, në lidhje me qëndrimet e tyre në Partinë Demokratike.
I ftuar në Euronews Albania, Sefa tha se grupimi i Bardhit kundërshtonte mbajtjen e zgjedhjeve në Partinë Demokratike, pasi plani i tyre ishte që kjo forcë politike t’i dorëzohej pa kushte ish kryeministrit Sali Berisha.
Sipas Sefës, nëse do të pengohej mbajtja e zgjedhjeve, atëherë planet organizative në PD nuk do të ecnin kurrë dhe partia do t’i dorëzohej pa kushte ish-kryeministrit Berisha, nëse donte që të mbijetonte.
“Ne e kemi dhënë mundësinë gjithë deputetëve që të ishin pjesë e procesit zgjedhor, madje ata kanë qënë të deleguar në zonat përkatëse, kanë qenë pjesë e grupeve të punës. Të drejtë ose edhe detyrim që kanë pasur ndaj Partisë Demokratike që nuk e kanë ushtruar kurrë. Në qoftë se Partia Demokratike do të priste pëlqimin e secilit prej nesh për të ecur me planet organizative të saj, nuk kishte për t’u bërë kurrë. Mbase ky ka qenë edhe qëllimi, që të pengohej, zgjedhja e strukturave të Partisë Demokratike, të pengohej zgjedhjet e organizimit të Partisë Demokratike për të arritur në këtë rezultat që është dorëzimi pa kushte te Sali Berisha. Ky ka qënë objektivi i disa personave aty”, tha Sefa.