Politike13 Shtator 2023, 13:29

Sot e “qan me lot krokodili”, zbardhen dëshmitë e Marjan Grykës, Izet Haxhisë dhe Frrok Çupit për vrasjen e Hajdarit: Ja roli i Berishës dhe si zhduku provat

Shkruar nga Pamfleti

Sot e “qan me lot krokodili”, zbardhen dëshmitë e Marjan

Ashtu si çdo vit, edhe në këtë përvjetor të vrasjes së Azem Hajdarit, ish-kryeministri Sali Berisha ka “qarë me lot krokodili” për heroin e demokracisë. Në 25-vjetorin e vrasjes së Hajdarit, Berisha ka mbajtur dje sërish fjalën e tij, duke e cilësuar Azemin si figurën më të jashtëzakonshme të historisë sonë kombëtare. Si “vrasësi” i Azem Hajdarit, Berishën duket se e ndjek edhe sot pas 25 vitesh imazhi i heroit të demokracisë, teksa theksoi se ai është gjallë edhe pas vdekjes. Por pavarësisht se sot përpiqte të tregojë se ka qenë i afërt me ish-deputetin Hajdari, të shumë janë ata që hedhin akuza ndaj Berishës, të cilin e akuzojnë se urdhëroi eliminimin e tij. Më poshtë gazeta “SOT” po sjell disa reagime të bërë nga protagonistë të kohës, të cilët demaskojnë Berishën, duke e nxjerrë këtë të fundit blof dhe etiketuar si “vrasës hipokrit”.

Dëshmia e Marjan Grykës

Ish-truproja i Azem Hajdarit, aktualisht kryetar i Shoqatës së “Azem Hajdarit”, Marjan Gryka, ka zbardhur të vërtetën rreth vrasjes dhe zhdukjes së celularit të heroit të demokracisë. Gryka akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha si organizator të vrasjes së Hajdarit, ndërsa rrëfeu për herë të parë të vërtetën për vjedhjen dhe zhdukjen e telefonit të Azemit, pak minuta para se ky i fundit të ndërronte jetë. Kreu i Shoqatës së “Azem Hajdarit”, deklaroi se ish-kreu i ALUIZNI, si dhe një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës, Shaban Memia, ka qenë personi i cili me urdhër të ish-kryeministrit, vodhi telefonin nga xhepi i Azem Hajdarit, për të zhdukur më pas çdo provë që i implikonte ata në këtë vrasje. Gryka thekson se vrasësit e Azem Hajdarit nuk kërkonin kokën e tij, por atë të Sali Berishës.  “Kam punuar dhe jetuar me Liderin e Dhjetorit, Azem Hajdari për shumë vite. Kemi kaluar gjithë këto vite më shumë të këqija se të mira, deri në atentate të mirëorganizuara nga vetë eksponentë të PD-së dhe në shumë raste kanë dështuar duke shkuar për të bërë mbledhje dhe organizime të reja nga Kodra e Priftit e deri në shtëpitë e vjetra tek fusha e Aviacionit!!! Ndërsa atë natë që u pushkatua Azem Hajdari çdo gjë ishte e mirëorganizuar nga vetë grupi i Katovicës me në krye Sali Berishën ku si një hienë shikonte nga dritarja trupin e Azemit që po merrte plumba me breshëri dhe Pollo me disa “lakej badigardë” nga Tropoja fërkonin duart nga gëzimi që Azemi iku dhe Saliu shpëtoi. Sot ka ardhur momenti më shumë se kurrë të përmendim emrin e të dyshuarit që i vodhi telefonin Azemit në xhep me urdhër të Saliut në momentin që plumbat e rrëzuan Azemin... Njeriu që ka dalë me vrap i pari në drejtim të Azemit direkt nga zyrat e PD-së, është Shaban Memia, skilja e “Penicilinës” që me shpejtësi të madhe shkoi e iu afrua trupit të Azemit, por në ato momente Azemi merrte frymë! E ka kthyer trupin e tij në krahun tjetër ku Azemi kishte telefonin dhe punë sekondash telefoni i Azemit është zhdukur dhe zëri i skile Memisë u dëgjua duke thënë se Azemi ka vdekur, kur ekspertiza në spital doli se Azemi ishte gjallë në makinën që e solli aty! ...Pra ky është një implikim i komplet kupolës së PD-së në organizimin e vrasjes Hajdari, duke theksuar se edhe sot pas 16 viteve vrasësi i Azemit, Jaho Mulosmani deklaroi se ne nuk shkuam të vrasim Azemin, ku këtë ne kemi 16 vite që e themi ku dhe e kam deklaruar se, vrasësit erdhën të vrasin Saliun e jo Azemin. Nuk përsërita këtu eksponentët e majtë të implikuar, ish-pushtetarë sepse me ata është marrë dhe merret Saliu, sepse Katovica i ribashkon”, deklaronte Gryka gjatë një interviste në 10 gusht të vitit 2014.

Dëshmia e Izet Haxhisë

Ndërkohë ish-truproja i Sali Berishës, Izet Haxhia u shpreh se u qëndron të gjitha akuzave për ish-kryeministrin, por edhe familjen e tij për vrasjen e Azem Hajdarit, por edhe shumë dosje të tjera. Haxhia ka rikujtuar edhe njëherë momentin e vrasjes së Hajdarit dhe rolin e Berishës, të cilin e akuzon se e nxori në pritë, pasi para vrasjes kishte komunikuar 12 herë në telefon. “Jam fajësuar në 12 shtator si nxjerrës në pritë të Hajdarit. Është thënë që unë e kam telefonuar dhe personat që kanë qenë afër e kanë vrarë. Por ku është telefoni dhe numrat e Hajdarit, pse gjykata nuk mori tabulatet e fundit. Me cilin ka folur në 12 shtator? Dhe dihet shumë mirë me kë ka folur ditën që ka qenë në Lushnje dhe Fier, janë 12 telefona që i ka bërë Berisha dhe e ka thirrur në zyrë. Janë të regjistruara. Është numri që ka qenë në emër të Genc Hotit, që ka folur Berisha. Ka folur me 12 dhe 13 shtator me Francën. Në emër të Majlinda Popoviç ka qenë regjistruar numri i Azem Hajdarit. Le të thotë drejtësia me cilin numër e kam marrë unë Hajdarin? Atëherë në Shqipëri ka qenë vetëm AMC dhe faturat kanë qenë të shkruara. Le të më thonë dhe unë i pranoj... Po. Se dua të dalë e vërteta në dritë. Vrasësit e tij janë eliminuar. Ata që e kanë nxjerrë në pritë nuk janë dënuar. Grupi i 8 vetave si prokurorë kanë marrë nga 50 mln lekë shpërblim nga Berisha dhe Meta te banka e kursimeve me kredi të butë dhe këto para nuk janë shlyer më pas. Për çfarë drejtësie flasin ata? Pse nuk është diskutuar roli i grupit të “Rognerit”, i di mirë Klosi. Hajdari nuk doli nga zyra ime, por e Berishës, ai e nxori në pritë”, deklaronte Haxhia në 9 shkurt të vitit 2018.

Rrëfimi i Frrok Çupit

Nga ana tjetër, edhe analistit dhe publicistit të njohur, Frrok Çupi, tregon edhe një bisede që ka pasur me Azem Hajdarit, i cili sipas tij, ishte në dijeni se do të eliminohej nga Sali Berisha. “Unë nuk akuzoj, unë vëzhgoj dhe dëshmoj. Sepse jam gazetar, jo prokuror. Kam edhe fatin që gjithë ‘parada’ e krimit ka kaluar para syve të mi. Të dëshmoj sot sa krime janë? Është njësoj si të dalim bashkë e të numërojmë një për një të gjitha pemët e pyllit. A bëhet kjo? Fati i tyre i keq se ne u lamë në dorë shtetin dhe armën përgjatë një brezi të tërë dhe ata kositën në fushën e krimit pa idenë se një ditë vjen... Nuk jam prokuror, por jam dëshmitar dhe prezent në Vlorë, atje u vranë dhe u plagosën qindra nga Berisha, u sulmuan edhe me armë kimike, shpëtuam për fije. Nuk isha dëshmitar vetëm në zhdukjen e Remzi Hoxhës... Pastaj isha i pranishëm kur e gjetëm të vrarë Ali Ukën, gazetar; kur SHIK i Berishës hodhi bombën te Vefa dhe vrau katër e na burgosi të gjithë gazetarët brenda natës... Dëshmitar kur Azemi mbyllej në shtëpi në ‘grevë urie’ e më thoshte ‘jam këtu se po më vret Saliu..., por o do ta vras o do të më vrasë’. Dëshmitar  dëgjues i Metës kur donte të vriste Becchettin për 2  milionë euro. Dëshmitar kur SHIK i urdhëruar nga Berisha më vrau para syve Gjovalin Çekinin në Shkodër... ...Një herë tjetër po hyjmë në ‘pyllin e numërimit’. Shkruante Migjeni: ‘Ah ta kisha një grusht të randë e t’i bija këtij mali’ që nuk dëgjon, dmth., ligji’”, deklaronte Çupi në 11 gusht të vitit 2022. /Gazeta “Sot”