TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Nëntor 2025, 13:15

Protesta, skenarët pozitivë dhe negativë; “çadra” e Berishës, a po synohet një “17 maj” i dytë me Edi Ramën

Shkruar nga Pamfleti

Protesta, skenarët pozitivë dhe negativë;

Gjithçka do të varet nga masiviteti i protestës dhe qëndrueshmëria e tyre. Nëse protestat do të jenë në formatin e atyre që vetë demokratët i cilësojnë si ‘xhiro në bulevard’ atëherë vështirë se mund të vendosin në vështirësi një mazhorancë që numëron 83 mandate në Parlament dhe një Kryeministër që prej kohësh shpërfill opozitën dhe kërkesat e saj

Partia Demokratike ka njoftuar se në 17 nëntor do të mbajë një protestë para Kryeministrisë, e para kjo që nga humbja e thellë në zgjedhjet e 11 majit, nga ku opozita e drejtuar nga Sali Berisha, nuk arriti të marrë më shumë se 50 mandate deputetësh.

Protesta do të jetë në formatin e një çadre, e ngjashme me atë të instaluar 8 vite më parë nga Lulzim Basha, por që këtë rradhë është pagëzuar me emrin ‘parlamenti qytetar’.

Aksioni opozitar është një test jo vetëm për Berishën, por për cilindo nga të mandatuarit e tij, sa i takon mbështetjes apo frymëzimit të qytetarëve për t’iu bashkuar aksionit.

Protesta e 17 nëntorit pritet të jetë e para në një seri tubimesh që demokratët parashikojnë të organizojnë në Tiranë kundër Qeverisë Rama. Strategjia është që çdo javë të organizohet nga një protestë, ku qytetarët do të mbajnë fjalime në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ përballë godinës së Kryeministrisë, por gjithçka do të varet nga masiviteti i protestës së 17 nëntorit.

Mbrëmjen e së mërkurës, një prej deputetëve demokratë, Besart Xhaferri, e konsideroi si një sukses çadrën e Lulzim Bashës të 2017-ës, që u përmbyll me marrëveshjen e 17 majit mes tij dhe Edi Ramës. Ai tha se për shkak të çadrës pati një ‘zbarkim’ të ndërkombëtarëve në Tiranë duke detyruar Ramën të pranonte një Qeveri, ku postet më të rëndësishme iu dhanë demokratëve. Në fakt kërkesa kryesore e PD në atë kohë ishte që Edi Rama të mos ishte Kryeministër, gjë që nuk u arrit.

Sot është e njëjta kërkesë që artikulohet nga Sali Berisha dhe të tjerë në PD, pothuajse me të njëjtat argumente sikundër 8 vite më parë deklaronte Lulzim Basha, krah të cilit qëndronin të njëjtët emra që sot janë pranë ish-kryeministrit.  

Një nga arsyet kryesore pse Berisha ka thirrur këtë protestë ka të bëjë me atë që Parlamenti tu kthehet qytetarëve, duke pretenduar se çdo seancë e më shumë hapësirat e opozitës po ngushtohen. Por jo vetëm kaq, skandalet që kanë përfshirë Qeverinë, sipas opozitës, rëndojnë xhepat e qytetarëve, që duhet të reagojnë kundrejt atyre që i kosniderojnë si vjedhjet e shekullit.

Politikisht duket se protesta është pjesë e një strategjie për të intensifikuar presionin ndaj mazhorancës. Përmes tyre opozita do të tregojë se nuk do të jetë vetëm “brenda sistemit”, por edhe në rrugë, për të ushtruar presion. Njëherazi përmes protestave do të mbahet i mobilizuar elektorati demokrat, që për 12 vite qëndron në minorancë dhe numëron humbjet e njëpasnjëshme elektorale.

Por gjithçka do të varet nga masiviteti i protestës dhe qëndrueshmëria e tyre. Nëse protestat do të jenë në formatin e atyre që vetë demokratët i cilësojnë si ‘xhiro në bulevard’ atëherë vështirë se mund të vendosin në vështirësi një mazhorancë që numëron 83 mandate në Parlament dhe një Kryeministër që prej kohësh shpërfill opozitën dhe kërkesat e saj.

Por nëse qeveria ndjen presionin, atëherë mund të vijë momenti i negociatave, opozitës së drejtuar nga Berisha t’I jepet hapësira që pretendon në jetën parlamentare, përfshi edhe ngritjen e Komisioneve Hetimore, ose të çelet një dialog mes përfaqësuesve të saj dhe atyre të mazhorancës.

Në këtë kuadër në lojë janë disa çështje që nisin nga ndryshimet kushtetuese te reformat zgjedhore dhe territoriale. Dhe ky do të ishte një skenar pozitiv.

Ndërkohë, skenari më negativ është ai që protestat të mos marrin mbështetjen e duhur popullore, duke mos arritur që opozita të shfaqë forcën e saj.

Kjo rrezikon që mungesa e mbështetjes të çojë në përdorimin e një retorike agresive, e cila mund të perceptohet nga disa si “përplasëse” dhe të çojë në polarizim të lartë. Kjo mund të çonte në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa historia ka treguar se kjo favorizon më shumë Qeverinë.

Në këtë kuadër, protestat thjesht do të mbeten veprime të përsëritura, që mund të forcojnë edhe më tej në perceptimin e opinionit publik, Edi Ramën si Kryeministër dhe qeverinë e tij. /Pamfleti/

3 Komente

  1. M
    Me popullin tallen këta?!

    Një nga arsyet kryesore pse Berisha ka thirrur këtë protestë ka të bëjë me atë që Parlamenti tu kthehet qytetarëve, duke pretenduar se çdo seancë e më shumë hapësirat e opozitës po ngushtohen.???????? Por nëse qeveria ndjen presionin, atëherë mund të vijë momenti i negociatave, opozitës së drejtuar nga Berisha t’I jepet hapësira që pretendon në jetën parlamentare, përfshi edhe ngritjen e Komisioneve Hetimore?????????Dmth këta kanë hallin komisioneve (që nuk kanë zgjidhur kurrë asgjë) dhe të pagesave që marrin për pjesmarrje në komisione. Kanë tërë kohës që humbin zgjedhjet dhe nuk mban asnjëri përgjegjësi me dorëheqje, dhe zgjidhja na qënka të drejtat për komisione parlamentare. Dmth quajnë zgjedhjet dhe parlamentin një farsë, por duan të drejta nga farsa. E vetmja gjë paska ngelur teatri i çadrës para kryeministrisë, me justifikimin se edhe çadra e Bsshës pati sukses. Cili qe suksesi? Humbja e radhës apo ca poste ministrash para zgjedhjeve?

    1. M
      Munika

      Triblime te tilla mafiozesh nuk kane te bejne me xhepin e qytetareve, por me fatin gjyqesor te kriminelit non grata, ndaj duhet abandonuar si mashtrim shpellaresh. E vetmha zgjudhje eshte largimi I ketij krimineli nga kreu I opozites dhe vendosja e nje dialogu te ri mes opozites dhe qytetareve

      1. g
        gjyqtari i futbollit

        Protestat jane pazar Rama-Berisha. Synohet qe Berisha te paraqitet tiger (prej letre) para nderkombetareve , ne menyre qe Rama te mbeshtetet nga nderkombetaret per te perballuar kete tiger "qe mund te vije ne pushtet?!?!?" Ne thelb, synohet qe Rama te ruaj pushtetin feudal qe ka, duke tentuar qe bashke me Berishen te mund te shkaterrojne reformen ne drejtesi e per rrjedhoje te perfitoje edhe Berisha per te mos shkuar ne burg, po te denohet ne ndonje sherbim prove.....

        Lini një Përgjigje