
Demokratët dhe socialistët janë dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve që mocioni me debat për situatën e krimit të organizuar të mbahet në seancën e 18 dhjetorit. Po kështu palët janë dakordësuar që debati për këtë çështje të zgjasë 120 minuta.
Demokratët kërkuan zhvillimin e mocionit me debat për situatën e krimit të organizuar pas atentatit mafioz në rrethrrotullimin e Rinasit ku viktima mbetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri), një prej agjentëve të AMP-së.
Pavarësisht se nga mazhoranca u hodh propozimi që debati të zhvillohej sesionin tjetër parlamentar që nis në janar, palët janë dakordësuar që ai të zhvillohet në seancën e 18 dhjetorit, si pikë e fundit në rendin e ditës së kësaj seance.
“Ne nuk mund ta shtyjmë, sepse rregullorja përcakton që mocioni duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. Ne kemi dëgjuar institucionet e sigurisë, por mocioni lidhet me qeverinë. Pra, kërkon të njihet dhe të debatohet mbi masat që ka marrë qeveria.
Kërkesa vjen në kuadër të raporteve ndërkombëtare që flasin për rritjen e fuqisë së krimit të organizuar dhe çmoj se është pikërisht momenti që të zhvillohet ky debat.
Unë propozoj që debatit t’i caktohet data 18 dhjetor, sepse atë ditë parashikohet një seancë që ka vetëm njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Shtoni një pikë në rendin e ditës, që të jetë pikërisht debati për masat e qeverise në raport me krimin e organizuar”, tha Bardhi.
Lini një Përgjigje