TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Maj 2025, 16:53

Pse janë ftohur marrëdhëniet e Ramës me Vuçiç? Pazari 600 mln euro për 'One' dhe 'Digitalb' u prish në minutën e fundit

Shkruar nga Pamfleti

'Telekom Srbija' do blinte 'One' dhe 'Digitalb' për 600 milionë euro; Rama hoqi dorë në minutën e fundit...

Pse janë ftohur marrëdhëniet e Ramës me Vuçiç?

Gjashte muaj më parë, kryeministri Edi Rama i kishte premtuar presidentit serb Aleksandër Vuçiç blerjen e kompanisë shqiptare të telefonisë celulare “One” dhe paketës kontrolluese të platformës mediatike “Digitalb” nga kompania shtetërore “Telekom Srbija”, në këmbim të një shume marramendëse prej 600 milionë eurosh.

Ky ishte një pazar i heshtur, i pakonfirmuar publikisht, por i garantuar personalisht nga vetë Rama, që sipas burimeve të besueshme pranë qeverisë, e kishte konsideruar si pjesë të aleancës politike dhe ekonomike me Vuçiçin në Ballkanin e hapur.

Plani i Telekom Srbija nuk ishte thjesht investim ekonomik, por një operacion i mirëkoordinuar politik. Pas dominimit të tregut mediatik në Kosovë dhe Bosnje, Serbia synonte të merrte kontroll edhe në Shqipëri, përmes rrjetit celular dhe platformës kryesore të transmetimit digjital.

Nëse do të realizohej, kjo marrëveshje do t’i jepte Beogradit kontroll mbi informacionin, opinionin publik dhe mbi teknologjitë e komunikimit në territorin shqiptar.

Pas muajsh negociatash të fshehta, Rama u tërhoq papritur. Sipas burimeve, presioni amerikan ka qenë vendimtar. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë marrëveshje si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë në rajon dhe një hap për futjen e propagandës serbe në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Rama nuk donte të cënonte kontrollin që ka mbi media të tjera kombëtare, të cilat përdoren për qëllime politike dhe propagandistike të qeverisë.

Tërheqja e Ramës u përjetua si një akt tradhtie nga Vuçiçi. Që nga ai moment, marrëdhëniet mes tyre janë ftohur ndjeshëm. Rama ka shmangur kontaktet e drejtpërdrejta, ndërsa Vuçiç ka ndalur të gjitha investimet e reja në Shqipëri, duke i lënë në fuqi vetëm ato ekzistuese.

Burime nga rajoni konfirmojnë se në këtë pazar ishin përfshirë operatorë nga Bosnja dhe Mali i Zi, të lidhur me rrjete të inteligjencës ekonomike serbe. Objektivi ishte i qartë: të kapnin tregun shqiptar të komunikimit dhe medias, për ta përdorur si mjet influence politike.

Është e pakuptueshme se si asnjë institucion në Shqipëri nuk reagoi për këtë skandal të rëndë që shkel kufijtë e tradhtisë kombëtare.

Rama nuk e anuloi marrëveshjen për të mbrojtur interesin kombëtar, por sepse presioni amerikan dhe interesat e tij mediatike nuk e lejonin të linte terren për Serbinë. /Pamfleti

vuçiç rama telekom srbija one digitalb

Lini një Përgjigje