Takimi mes Ramës dhe Melonit u mbyll pa transparencë për mediat, duke ngritur pikëpyetje mbi përmbajtjen e tij. Kryeministri zgjodhi ta komentojë vetëm në Facebook, ku vlerësoi maksimalisht qeverinë italiane si më të angazhuarën në 35 vite.
Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar ‘i ka krehur bishtin’ motrës së tij italiane, Giorgia Meloni. Edhe pse u prit me ceremoni zyrtare nga Meloni në 'Palazzo Chigi' Romë dhe u tha se do ishte takim i madh, nuk pati konferencë të përbashkët për mediat mes krerëve të qeverisë italiane dhe shqiptare.
Rama u mjaftua me disa ‘elozhe’ në Facebook për miken e tij, ku shkruan se asnjë qeveri italiane në 35 vitet e fundit nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë sa ajo e Melonit.
“Të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Giorgia Melonit. Afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë”-shkruan Rama në Facebook.
Rama njihet për raportin e veçantë me homologen e tij italiane Georgia Meloni. Në nëntor të vitit të kaluar u mbajt një takim mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë ku u nënshkruan plot 16 marrëveshje të përbashkëta bashkëpunimi në disa fusha si mbrojtja, shëndetësia, siguria e infrastruktura.
Ndërkohë ajo që tërheq më shumë vëmendje është se pse u zhvillua ky takim mes tyre, pasi nuk ka detaje. Mbetet për t’u parë kur do bëhet publik ‘pazari’ i radhës i arritur mes tyre.
Lini një Përgjigje