TAGS-AT E JAVËS

Politike16 Prill 2026, 16:38

Nesër protesta e PD, policia del me plan masash; rrugët që do të bllokohen!

Shkruar nga Pamfleti
Nesër protesta e PD, policia del me plan masash; rrugët që do
Foto nga protesta e PD

Tubimi i PD pritet të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë.

Opozita do të zhvillojë nesër protestën e saj të shtatë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi pritet të nisë në orën 19:00 para Kryeministrisë. Ndërkohë policia ka dalë me njoftim zyrtar, ku tregon që PD ka marrë leje nga ora 19:00 deri në orën 22:00. Po ashtu policia ka treguar rrugët që do bllokohen ditën e nesërme.

“Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.”-thuhet në njoftim.

Sipas burimeve, në protestën e 17 prillit pritet të rikthehen fjalimet nga drejtues të Partisë Demokratike, forumit rinor dhe partive aleate, ndryshe nga tubimet e fundit ku mungoi podiumi dhe fokusi ishte te marshimi.

Nuk përjashtohet që protesta të shoqërohet edhe me zhvillime të tjera gjatë mbrëmjes, përfshirë marshime në akse të ndryshme të kryeqytetit, në varësi të dinamikës së tubimit dhe orientimit nga organizatorët.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë. Në protestat e mëparshme janë angazhuar mbi 1 mijë efektivë në terren.

protesta e pd policia

Lini një Përgjigje