
E sot SHBA, por edhe Yuri Kim ka të gjithë të drejtën t’i thotë Sali Berishës e Ilir Metës: Do ikni tani!
Kanë kaluar 10 ditë nga dita e zgjedhjeve vendore në Shqipëri, e si gjithmonë mesazhi që vjen nga diskutimet analitike jo vetëm vlen për të dëshiruar por mbetet gjithnjë provincial.
Askush nuk i hyn në thelb zhvillimit, por merret me zhurma fshatareske për të mbajtur sa më gjatë Sali Berishën e Ilir Metën në lojë, edhe pse nuk ka njeri që nuk e ka kuptuar çfarë realisht po luhet.
Zgjedhjet e 14 majit, nuk i ka fituar Edi Rama, edhe pse partia e tij është parti e parë e dominuese kudo në vend, e që shihet qartë nga harta rozë e këtyre votimeve.
Edi Rama në fund ka marrë 80 mijë vota më pak se më 25 prill 2021, që do të thotë se nëse zhvillohen zgjedhjet parlamentare nesër apo sot, Edi Rama apo Partia Socialiste ka 8 deputetë më pak, pra 66 deputetë. Por ai fitoi sepse Sali Berisha bashkë me Ilir Metën pësuan disfatë të thellë. Dhe kjo ndodhi pas qëndrimit të qartë të qeverisë së SHBA, që u shpreh me zërin e Gabriel Escobar.
Zë të cilin më pas Edi Rama e ktheu në sllogan. Megjithatë, këtë sllogan Rama thjesht e buçiti, por njerëzit dëgjuan SHBA. E cila ju tha troç: Sali Berisha dhe Ilir Meta janë e shkuara! Dhe njerëzit e ndoqën SHBA dhe nuk votuan Berishën e Metën, por nuk supervotuan Edi Ramën, pavarësisht se ai fitoi.
Në realitet zgjedhjet më 14 maj nuk i ka fituar Edi Rama, por SHBA, e cila duhet thënë se u angazhua në fushatë direkt, e në fund mori një rrisk. Nëse shqiptarët do të kishin votuar ndoshta jo në shumicë por të përsërisnin hartën elektorale të vjetër, pra të konfirmonin Sali Berishën si opozitë, SHBA do të kishte humbur. SHBA hyri në fushatë sepse më 6 mars ku nuk hyri, Berisha e Meta e keqpërdorën dhe e quajtën edhe fitore ndaj SHBA. Ndaj njerëzit pranë dyshes ju drejtuan Yuri Kim: Do ikësh tani? E sot SHBA, por edhe Yuri Kim ka të gjithë të drejtën t’i thotë Sali Berishës e Ilir Metës: Do ikni tani! Natyrisht SHBA nuk e bën, edhe pse ka fituar madje ka triumfuar. Zgjedhjet më 14 maj i fitoi Amerika kundër Sali Berishës. Së bashku me opozitarët që nuk e duan Edi Ramën, por më shumë duan një Shqipëri aleate të ngushtë me SHBA…/Pamfleti