Politike29 Shkurt 2024, 19:30

"Putini i vogël firmosi në Tiranë fitoren e tij", Berisha: Vuçiç dhe Rama përfitojnë nga kontrabanda ruse

Shkruar nga Pamfleti

"Putini i vogël firmosi në Tiranë fitoren e tij",

Ish kryeministri, Sali Berisha në fjalimin e tij të radhës nga dritarja e banesës i cili ndodhet në masën “arrest shtëpie”, ka komentuar dy samitet në Tiranë. Ai tha se në këto takime Putini i vogël (Vuçiç) firmosi në Tiranë fitoren e tij.

Berisha theksoi se Rama dhe Aleksandër Vuçiç përfitojnë nga kontrabanda ruse.

Për NATO-n, për BE-në, për vendet e lira në mbarë botën, Ballkani Perëndimor në raport me agresionin barbar rus paraqiste dy probleme serioze.

Së pari, respektimin e sanksioneve të BE dhe NATO-s ndaj Rusisë.

Presidenti Zelensky jashtë çdo dyshimi priste që ky samit të dilte me zotimin për të dënuar shkeljen e sanksioneve, për të respektuar sanksionet kundër agresionit rus.

Por të gjithë ata që pritën një gjë të tillë, u zhgënjyen sepse padroni i Edi Ramës dhe argati i tij, Edi Rama, që janë të dy përfitues të kontrabandës ruse, bllokuan deklaratën.

Dhe jo vetëm që nuk u dënua fakti që Serbia është shndërruar sot më shumë se kurrë në një Rusi të vogël, 15 herë në javë fluturon linja ruse në Beograd.

Jo vetëm që nuk u tha një fjalë, por me heshtjen e plotë, Beogradi mori licencën për të vazhduar thyerjen e sanksioneve sikur ato të mos ishin, të mos përbënin një problem për NATO-n dhe BE-në.

Të dashur miq, cilido që njeh ABC-në e historisë, e di se dikur për Perandorinë Ruse, më vonë për perandorinë komuniste dhe sot për diktatorin e ri, nuk ka asnjë dyshim se dalja në Adriatik mbetet objektivi më kryesor.

Dhe në këtë kontekst, destabilizimi i Ballkanit, në këtë kontekst baza e Nishit, në këtë kontekst infiltrimi në të gjitha anët e politikës dhe jetës në Serbi të rusëve.

Por përsëri, për Putinin e vogël dhe argatin e tij në Tiranë, ndërhyrja ruse, influenca ruse nuk përbën një problem.

Ndaj dhe deklarata nuk kishte asnjë fjalë.

Më thoni ju mua, miku i shquar nga Ukraina, qeveria e të cilit dhe ai vetë edhe këtu, theksoi se Rusia përbën rrezik për Ballanin, si e ndjeu ai veten kur Putini i vogël me argatin e tij në Tiranë, hoqën nga teksti paralajmërimin për keqbërjen e Rusisë në Ballkan.

Për të gjithë botën, agresioni rus, vrasja e qindra mijëra civilëve, nga hordhitë barbare ruse në Ukrainë, sulmi i një kombi vëlla vetëm e vetëm për t’i pushtuar tokat, ka një simbol të urryer aq sa ç’kishte Gjermania e Hitlerit, ka Vladimir Putinin.

Por emri i tij në deklaratë nuk ekzistonte, sepse padroni urdhëronte Edi Ramën dhe Edi Rama lepe-peqe para padronit të tij”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.