TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shtator 2025, 11:25

Rama i rikthehet sulmeve, shkrin Ndërmarrjet e Ujësjellësave: Katastrofë e vërtetë, papërgjegjshmëri e frikshme

Shkruar nga Pamfleti

Rama i rikthehet sulmeve, shkrin Ndërmarrjet e Ujësjellësave:

Kryeministri ka paralajmëruar shkrirjen e ndërmarrjeve të ujësjellësave që janë nën varësinë e Bashkive.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot shkrirjen e ndërmarrjeve të ujësjellësave, ndërsa prezantoi Operatorin Kombëtar të Ujit. Rama iu rikthye sulmeve dhe akuzave në drejtim të pushtetit vendor, ndërsa e konsideroi si katastrofë që në emër të decentralizimit u frangmentarizua në 58 ndërmarrje menaxhimi i ujit.

Në këtë kuadër duket se Kryeministri ka paralajmëruar shkrirjen e ndërmarrjeve të ujësjellësave që janë nën varësinë e Bashkive, një reformë kjo e ndërmarrë vite më parë, në emër të shtimit të kompetencave të pushtetit vendor.

Rama tha se aktualisht kemi një panoramë krejtësisht ndryshe të furnizimit 24 orë me ujë, nga 4 zona që ishin në 2013. Ai theksoi se duhet më shumë punë, duke pasur parasysh volumin e kërkesës për ujë, konkretisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse.

Kreu i qeverisë kritikoi mënyrën e menaxhimit të Ujësjellësit të Vlorës duke e vlerësuar si të frikshme. Sipas tij, borxhet e akumuluara nga ndërmarrjet në rang vendi, që i cilësoi si "çeta", arritën në 13.6 miliardë euro në vitin 2020.

“Ndërkohë që paralelisht ne nga ana jonë, kemi bërë investime masive. Nga 4 zona që furnizoheshim me ujë 24 orë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por është ndryshe në raport me atë që ishte, jo në raport me sfidën që kemi, aq më tepër në kushtet kur duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë, posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm.

Borxhet e akumuluara nga këto ndërmarrje të administruara me papërgjegjshmëri ekstreme në vitin 2020 arritën në 13.6 miliardë euro. Harxho, shpërdor, dridh zinxhirin dhe ngarko kompaninë e shpërndarjes së energjisë me borxhe. Në 2021, ndërmorëm hapin e parë duke hyrë në procesin e bashkimit të kompanive dhe nga 58 shoqëri, 58 çeta, ne krijuam 15 shoqëri rajonale. Qëllimi ishte të përmirësohej performanca dhe të rritej përgjegjshmëria në administrim dhe sot kemi rezultate domethënëse, që na tregojnë një gjë që përgjigjia ndaj kësaj sfide është bashkimi dhe jo copëzimi. Njerëzit nuk pinë decentralizim në rubitet, por ujë. Sot kemi 9 shoqëri rajonale nga 15 që nuk krijojnë më detyrime ndaj OSHEE-së. Hap i jashtëzakonshëm padiskutim”, tha Rama.

Lini një Përgjigje