Kryeministri Edi Rama teksa ka komentuar protestat e Zvërnecit, thotë se qeveria e tij nuk do të tërhiqet nga qëllimi për ta integruar Shqipërinë në Bashkimin Europian.
“Shqipëria nuk është flamingo që merret zvarrë për tu dukur bukur. Shqipëria është një vend që sot është në luftë të madhe me veteveten dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat atë punë kanë, ne kemi punë tjetër. kemi detyrë ta çojmë Shqipërinë në atë breg me çdo kusht. Mos u çudisni që në këtë rrugë që do të kemi shumë të tjerë që do na dalin anash, mbrapa, përballë. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga e ime, juaj, e jona e PS”, tha Rama.
Rama reagoi gjithashtu edhe ndaj kërkesave të protestuesve për dorëheqjen e tij, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe jashtë realitetit.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se kishte marrë mesazhe të shumta që lidhen me mundësinë e largimit të tij nga detyra, por theksoi se nuk sheh asnjë arsye që të diskutohet një skenar i tillë.
“Nuk e di se për çfarë arsye apo si mund ta kem lënë përshtypjen sikur më ka shkuar ndërmend që unë të jap dorëheqje. Kam pasur shumë mesazhe dhe gjithmonë e më shumë njerëz shohin që e gjitha kjo është diçka që nuk rri, nuk rri as në qiell, as në tokë”, deklaroi Rama.
Lini një Përgjigje