TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Korrik 2025, 17:53

Rama plan të zhdukë çdo gjurmë të Veliajt, përgatit fshesën e madhe në Bashkinë e Tiranës; në lojë edhe instituti i Tony Blair!

Shkruar nga Pamfleti
Rama plan të zhdukë çdo gjurmë të Veliajt,
Anuela Ristani-Edi Rama-Erion Veliaj

Rama njofton skemë të re për ristrukturimin e Bashkisë Tiranë...

Edi Rama duket se po tenton të zhdukë çdo gjurmë të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës. Edhe pse ka 13 vite në pushtet, kryeministri ka nisur një aksion shkarkimesh në disa prej bashkive të vendit, duke larguar drejtorë, nënkryetarë, krerë të njësive administrative etj. Por ajo që ka rënë në sy është se Bashkia e Tiranës, deri më tani, i ka shpëtuar këtij procesi.

Por nuk do të zgjasë shumë qetësia. Rama duket se ka një plan krejt të ri për bashkinë më të madhe në vend dhe furtuna duket se është te dera.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shprehet se në Tiranë do të eksperimentohet një skemë e re administrimi dhe Rama do t’i japë miliona Tony Blair-it që ta ndihmojë.

Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre. APLIKONI me kurajo dhe besim. Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore. Është koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, shkruan Rama.

Që pas arrestimit të Veliajt, Rama u hodh në sulm për të marrë Bashkinë e Tiranës. Fillimisht vuri Anuela Ristanin dhe shkarkoi të gjithë drejtuesit që kishte emëruar Veliaj. Po ashtu, shumë drejtorë janë larguar në ditët në vijim, por padyshim ka shumë të tjerë në detyrë. Siç duket, Rama tani po përgatit “fshesën e madhe”.

Po sot, ai do të mbledhë në një takim drejtuesit e bashkisë dhe deputetët e Tiranës, me fokus aksionin që ka nisur për lirimin e hapësirave publike. Ndërkohë, sinjalet janë se Rama mund të çojë në zgjedhje Bashkinë e Tiranës, por shkarkimi i Veliajt mund të sillte një përplasje të fortë juridike. Gjithsesi, duket qartë se tashmë raportet mes tyre janë prishur dhe shtohen dyshimet se arrestimi i Veliajt ka marrë edhe bekimin e Bablokut. /Pamfleti

Lini një Përgjigje