
Shkrihet Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, ndahet në 3 komisione të veçanta...
Pas një vere të qetë dhe në heshtje, Edi Rama është rikthyer në zyrë dhe menjëherë ka nisur të lëvizë fijet e riorganizimit institucional. Takimet me figurat kryesore të mazhorancës – Belinda Balluku, Elisa Spiropali, Niko Peleshi, por edhe me emra të biznesit si Behgjet Pacolli, nuk janë thjesht rifillim pune pas pushimeve, por shfaqin sinjalin e një ndryshimi të thellë në arkitekturën politike dhe legjislative të qeverisë “Rama 4”, që pritet të nisë zyrtarisht në shtator.
Në qendër të diskutimeve nuk kanë qenë emrat e rinj të ministrave, siç ndodh zakonisht në Asamblenë e PS-së, por struktura e re e komisioneve parlamentare. Partia Socialiste ka hartuar një plan për të shtuar numrin e komisioneve të përhershme nga 8 në 11, duke synuar një ndarje më të profilizuar, që i përshtatet kapitujve të negociatave me BE-në dhe axhendës “Shqipëria 2030”.
Sipas planit të ri:
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese do të ndahet në tre komisione të veçanta:
Komisioni për Energjinë
Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin
Komisioni për Bujqësinë
Komisioni i 11-të do të jetë ai i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, që aktualisht funksionon si komision i posaçëm për “Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin”. Ky pritet të bëhet i përhershëm, me pjesëmarrjen e opozitës.
Por përfshirja e Xhafajt në këtë rol nuk është një zhvillim i zakonshëm. Komisioni që ai drejton është kritikuar ashpër si një instrument politik për të kontrolluar drejtësinë e re dhe për të ndërhyrë në thelbin e reformës së 2016-ës. Janë shtuar zërat që ky komision nuk është më një nismë ligjvënëse, por një “armë politike” që mund të përdoret për të ndryshuar balancat mes pushteteve.
Ngritja e këtij komisioni me 74 vota në Kuvend, pavarësisht bojkotit institucional të institucioneve të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, SPAK, etj, ka ngjallur shqetësim të madh në radhët e opozitës dhe komunitetit ndërkombëtar. Fatmir Xhafaj, dikur ideatori i Reformës në Drejtësi, sot shihet si njeriu që mund ta devijojë atë, në emër të një “riformatimi” që vjen në kohën kur SPAK është bërë pengesë reale për korrupsionin politik.
Në këtë riorganizim, socialistët parashikojnë që 7 komisione të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 t’i kalojnë opozitës. Por ende nuk është vendosur se cilat do jenë këto katër komisione që do i lihen opozitës, një tjetër manovër që mund të përdoret për të balancuar ose neutralizuar zërat kritikë në Kuvend.
E gjithë kjo lëvizje po përgatitet në heshtje, larg syrit të opinionit publik dhe në pritje të një drite “jeshile” zyrtare nga Asambleja e PS-së në shtator. Deri atëherë, Rama duket se po vendos gurët e një strukture të re – jo vetëm në emrat e qeverisë, por edhe në mekanizmat që do të kontrollojnë jetën parlamentare dhe fatin e institucioneve të drejtësisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje