Ndryshe nga ambasada e SHBA, delegacioni i BE ka qenë më i butë sa i takon raportit të ODIHR. Vëzhguesit e OSBE patën shumë kritika për zgjedhjet e 14 majit. Ndërkohë BE në një reagim shprehet se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese. Një reagim pati dhe nga ambasada e SHBA, e cila në fakt u ndal te problematikat.
“Delegacioni i BE-së mirëpret publikimin e raportit përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri që konfirmoi se zgjedhjet ishin të mirëadministruara dhe konkurruese, por u shenjuan nga akuza për keqpërdorim e burimeve shtetërore dhe blerje votash. Delegacioni i BE-së nxit të gjithë aktorët që të punojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zbatuar rekomandimet e reja të Raportit dhe ato që janë ende pezull nga rekomandimet e mëparshme pa humbur kohë”, thekson BE.