Politike 3 Tetor 2023, 17:10

SHBA në një linjë me ODIHR: Në 14 maj u përdorën burimet shtetërore dhe pati blerje votash, qeveria dhe partitë të marrin masa

Shkruar nga Pamfleti
SHBA në një linjë me ODIHR: Në 14 maj u përdorën
Ambasada e SHBA

Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor dhe akuzat për blerje votash nga të gjitha palët...

Ambasada amerikane i ka dhënë një goditje qeverisë sa i takon raportit të ODIHR. Pak ditë më parë u publikua raporti i plotë, në të cilin nxihet qeveria. Edhe ambasada ngre si shqetësim kepërdorimin e institucioneve shtetërore.

Qeveria ka angazhuar ministra, bashki dhe administratën në zgjedhje dhe kjo shihet me shqetësim nga amerikanët. Po ashtu, ambasada evidenton se ka pasur akuza për blerje votash dhe frikësim të votuesve.

SHBA u bën thirrje të gjitha forcave politike që të lexojnë me kujdes raportin e ODIHR dhe të marrin masa për zbatimin e rekomandimeve.

Ambasada e SHBA mirëpret raportin e fundit të ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit që përshkruan fushat me përmirësim të vazhdueshëm, si dhe mangësitë. Shtetet e Bashkuara nxisin qeverinë, partitë politike dhe institucionet shtetërore të zbatojnë rekomandimet e ODIHR-it, të cilat përfshijnë keqpërdorimin e burimeve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, akuzat për blerje votash nga të gjitha palët, marrjen e masave për të siguruar fshehtësinë e votimit dhe parandalimin e frikësimit të votuesve, si dhe presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit. Raporti theksoi gjithashtu nevojën për të siguruar zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit në mënyrën e duhur, dekriminalizimin e shpifjes, si dhe mbështjetjen e gazetarisë së pavarur. Shtetet e Bashkuara mbështesin angazhimin për të trajtuar të gjitha rekomandimet e ODIHR-it, në mënyrë që të sigurohet një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konseguent si dhe kërkesat e popullit shqiptar për një demokraci të fortë”, thekson ambasada.

Të premten OSBE/ODIHR ka publikuar raportin e plotë për zgjedhjet e 14 majit. Sipas ODIHR, mjedisi politik vazhdon të jetë i karakterizuar nga polarizimi i thellë nëpërmjet kryetarëve të partive të madhe.

Po ashtu përmenden dhe rastet e dhunës, siç është ai i tritolit në Vaun e Dejës. Po ashtu ODIHR sheh me shqetësim manovrat e qeverisë duke dhënë bonuse për pensionistë dhe duke rritur rrogat. Kritika ka pasur dhe për "Aktivistin" dhe përdorimin e administratës shtetërore.  

"Në përgjithësi, mjedisi politik vazhdoi të karakterizohej nga dominimi i elitave politike tradicionale dhe polarizimi i thellë mes partive kryesore, i manifestuar edhe nga një ngërç për reformën zgjedhore në vitet 2021-2023. Për më tepër, PS-ja gëzonte një avantazh gjithëpërfshirës të detyrës në të gjithë sektorët e jetës publike, e cila, e akumuluar gjatë dekadës së fundit, u pa nga shumë bashkëbisedues të MVZ-së të ODIHR-it si një ndikim potencial në parimin e ndarjes së pushteteve", theksonte ODIHR.