TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Nëntor 2023, 11:51

Sa e kërcënon mazhorancën socialiste parada e deputetëve në SPAK?

Shkruar nga Pamfleti

 

Sa e kërcënon mazhorancën socialiste parada e deputetëve
Ilir Beqja në SPAK /

Zgjidhja është që mazhoranca, e cila ka arritur në vaktin e saj të mbramë, të ndërmarrë një reformë të thellë politike që të sigurojë nesër një spastrim të kësaj klase, duke përmbysur tavolinën aktuale...

Paralelisht me dosjet e mëdha të Sali Berishës dhe Ilir Metës, prej javësh po shohim një paradë në SPAK të eksponentëve të mazhorancës.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, ai i Rrogozhinës, i Kuçovës, por edhe dy deputetë të PS-së si Baftjar Zeqo e Agron Çela, kanë kaluar pragun e prokurorisë Speciale. Zhvillime këto që duhen parë në një sens politik më shumë sesa për çështje të veçanta. Pasi Edi Rama përmend shpesh se SPAK duhet t’i nxjerrë ujin e zi kujdo që ka abuzuar dhe të shohë drejt.

Por ky është më shumë një qëndrim analisti televiziv, pasi politikisht reflektimi apo qëndrimi duhet të merret në një kahje tjetër.

Sot mazhoranca socialiste është prekur nga drejtësia e re jo vetëm në sasi por edhe në cilësi; është prekur në shtyllën kurrizore, pa i shtuar vendimet e SHBA për të shpallur ‘Non Grata’ Tom Doshin, Vangjush Dakon e Aqif Rakipin.

Kjo mazhorancë, është po aq e goditur sa opozita, madje edhe më shumë në hetimet që SPAK ka ndërmarrë ndaj abuzimeve të pushtetit. Rama ka një linjë të tijën kur thotë se shumica qeverisëse e ka mbështetur SPAK-un, pasi është ajo që ka ngjizur drejtësinë e re. Nuk është tamam kështu, por edhe sikur të jetë e vërtetë kjo, sërish nuk ka lidhje. Pasi është njësoj si ajo barsoleta kur njëri i përmendte gjithë kohës mikut të tij se nuk u lag pasi ai i kishte dhënë çadrën. E shokut, pasi i erdhi në majë të hundës, u fut në lumë e ja ktheu: më shumë se kaq do të isha lagur?

Mazhoranca, ka marrë 3 mandate rresht, së pari për mbështetjen e reformës në Drejtësi e kjo është e qartë. Por tani i takon të reflektojë politikisht për këtë gjendje që ajo dhe vendi ndodhet.

Shumica nuk mund të jetë një ishull që pret SPAK të çojë një thirrje për të pyetur kryeministrin. Mazhoranca duhet të reflektojë politikisht me këtë stad.

Cili është ky reflektim?

Shumë thonë zgjedhje të parakoshme, por që realisht nuk janë zgjidhje. Pasi ka shumë gjasa që të kemi një rezultat edhe më të keq.

Zgjidhja është që mazhoranca, e cila ka arritur në vaktin e saj të mbramë, të ndërmarrë një reformë të thellë politike që të sigurojë nesër një spastrim të kësaj klase, duke përmbysur tavolinën aktuale.

Nëse në zgjedhjet e 2025-ës deputetë zgjidhen sërish Baftjari e Agroni, jo në emra të përveçëm por si fenomene, atëhere ne nuk kemi bërë asgjë.

Mazhoranca duhet së pari, të japë një qëndrim të sajin në lidhje me hetimet e SPAK që kanë prekur ashtin e saj kurrizor. Nëse nuk e bën, atëherë është njësoj sikur e pengon. Pasi po të kishte një opozitë normale dhe të fortë, sot Edi Rama dhe PS jo thjesht nuk do të ishte në pushtet po ka gjasa të kishte fatin e PASOK në Greqi.

PS dhe Edi Rama janë në krye sepse në anën tjetër janë dy super të pasur e super të korruptuar si Sali Berisha dhe Ilir Meta. Po kjo nuk mjafton për shqiptarët. Të cilët në sondazhe e kanë pranuar mazhorancën si të keqen më të vogël por jo se i pëlqen. Nëse kjo mazhorancë nuk ndërmerr akte nga zhvillimet e fundit, duke larguar nga drejtimi, nga vendimmarrja të gjithë njerëzit e përfolur për korrupsion, nuk është çudi që ky vend të shkojë në kaos. E SPAK të humbë fuqinë e sotme. Ndaj nuk mjafton që çdo deputet apo kryetar bashkie të largohet nga PS nëse është nën akuzë zyrtare. Duhet që të largohen menjëherë të gjithë që përfliten dhe mazhoranca të zgjedhë një udhëheqje të re, duke nisur të hartojë edhe një reformë të re politike, ku të mos zgjidhen më ‘Non Gratat’ e të fortit. Kjo bëhet, së pari duke u distancuar dhe duke e larguar Edi Ramën. Nuk ka ç’jep më. Sikur edhe vetëm me krijimin e SPAK, ai e ka mbyllur rolin historik në politikë. Përndryshe, ai do të kthehet si Sali Berisha që rri për të mbrojtur veten. / Pamfleti

mazhoranca socialiste parada e deputetëve spak

Lini një Përgjigje